MALTA - KOSOVA

Foto: FFK
Rashica bënë dallimin ndaj Maltës
4 June, 2021 @19:37
Përfaqësuesja jonë ka shënuar fitore edhe në ndeshjen e dytë miqësore ndaj Maltës.
Pas fitores para disa ditësh ndaj San Marinos, dardanët kësaj radhe shënuan fitore me rezultat 2-1 [Shaun Dimech 45’+1 - Milot Rashica 19’ 84’] ndaj shtetit të vogël maltez, derisa lojtari i ndeshjes u bë Milot Rashica që shënoi dy herë, duke e mbuluar kështu paraqitjen e zbehtë të ekipit tonë.
Kosova kaloi në epërsi në minutën 19’ pas një organizimi të bukur nga treshja sulmuese Kastrati-Zeneli-Rashica, që përfundoi me golin e këtij të fundit.
Në pjesën e parë Kosova kishte dominim të lehtë, por në fund të kësaj pjese kundërshtari na dënoi në kohën shtesë duke shënuar që në aksionin e parë. Goli i Maltës u shënua nga Shaun Dimech, i cili realizoi nga një pozitë e volitshme nga afërsia, pas topit të devijuar që u godit nga gjuajtja e lirë.
Në pjesën e dytë Kosova pati disa raste në fillim nëpërmjet Lirim Kastratit i cili u tregua i pasaktë, derisa Milot Rashica doli në skenë përsëri në minutën 84’, duke shfrytëzuar gabimin e mbrojtjes kundërshtare.
Trajneri Bernard Challanges në këtë ndeshje luajti me formacionin 4-3-3, ndërsa në portë për herë të parë vendosi Visar Bekajn, i cili bëri debutimin me fanellën kosovare. Në mesfushë përsëri titullar luajti i sapo ardhuri, Blendi Idrizi, kurse në sulm, në mungesë të Muriqit e Selmanit, pozita e qendërsulmuesit iu besua Rashicës, që edhe doli të jetë zgjedhje e suksesshme në fund.
Përfaqësuesja e Kosovës tani do të vazhdojë grumbullimin me ekipin e dytë, për dy ndeshjet e ardhshme miqësore që do t’i luajë ndaj Guinesë (8 qershor) dhe Gambisë (11 qershor).
Lojtarët që u paraqitën te Kosova: Bekaj, Rrahmani, Fazliji, Aliti (Bajselmani), Vojvoda; Kryeziu (Voca), Shala (Halimi), Idrizi; Zeneli, Kastrati (Bytyqi), Rashica (Daku)