KOMBËTARJA

Foto: FSHF
Reja: Uellsi skuadër e mirë, por ne jemi gati
4 June, 2021 @20:19
Trajneri i Kombëtares Shqiptare në futboll, Eduardo Reja, u shpreh se ekipi që ai drejton është gati për ndeshjen me Uellsin dhe do të japin më të mirën në ndeshje.
I pyetur për lodhjen e lojtarëve, Edi Reja u shpreh se padyshim lodhja është një problem, megjithatë ekipi ka pushuar dhe ka marrë forcat këto ditë. “E dimë që nuk është e lehtë të përballesh me Uellsin, është një skuadër e fortë fizikisht, në të njëjtën kohë edhe teknikisht është shumë e mirë. Një skuadër që ka eksperiencë, ka edhe vlera të mëdha dhe nuk do të jetë aspak një ndeshje e lehtë për ne.” - u shpreh trajneri i kuqezinjëve.
Lidhur me pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarit, Reja theksoi se pika e tyre më e fortë është mesfusha dhe sulmi. “Kanë lojtarë të nivelit te lartë sic është Gareth Bejl. Bëjnë një futboll shumë të mirë. Përveç se janë fizikisht mirë, janë edhe të shpejtë.” - tha Reja për mediat.
Sa i përket formacionit, Edi Reja theksoi se tashmë veçse e ka vendosur se si do të luajë kundër Uellsit, por se ka dyshime në sulm pasi që sipas tij, katër lojtarë janë në formë shumë të mirë dhe zgjedhja mes tyre është e vështirë. Sa i përket mesfushës, Reja konfirmoi se Abrashi, i cili do të jetë edhe kapiteni, do të luajë, ndërsa bashkëlojtarë në mesfushë mund t’i ketë edhe Baren dhe Çekicin. Treshja e mbrojtjes dihet dhe Reja do të startojë me Ismajlin, Gjimishitin dhe Kumbullën, ndërsa mbetet vendoset për krahët.
Krejt në fund, Reja theksoi se gjëja më me rëndësi në ndeshjet në vijim është ta kuptojmë se ku jemi dhe sa jemi rritur. “Unë uroj që këto ndeshje të na ndihmojnë për të bërë analizat e duhura dhe për të parë se ku do të arrijmë.” - e mbylli Reja.