MONACO - CITY
Rikthim i Monacos, eliminohet City
15 March, 2017 @22:39
Në ndeshjen kthyese mes skuadrave që dhuruan spektakël në takimin e parë, takim që u mbyll 5-3, kualifikimin e arriti skuadra e Monacos, e cila falë fitores 3-1 sonte, arrin në çerekfinale falë numrit më të madh të golave të shënuara në terrenin mysafir, me rezultatin e përgjithshëm nga të dy ndeshjet që shënon 6-6.
Monaco e filloi furishëm takimin, derisa goli i epërsisë erdhi nga talenti Mbappe që në minutën e 8’. Pas sulmeve të vazhdueshme dhe me një City totalisht inekzistent në pjesën e parë, Monaco e gjeti edhe golin e dytë përmes Fabinhos dhe pjesa e parë u mbyll me rezultat 2-0, rezultat i cili e dërgonte Monacon në fazën tjetër.
Pjesa e dytë ishte me një fytyrë tjetër. Ishin anglezët e Manchester Cityt ata që e kontrolluan ndeshjen deri në minutën e 75’. Me Monacon që dukej ‘i lodhur’ pas një pjesë të parë me shumë energji të shpenzuar, City krijoi disa raste të njëpasnjëshme për shënim dhe goli që dha shpresë për kualifikim u shënua nga gjermani Leroy Sane.
Mirëpo, reagimi i francezëve erdhi shumë shpejt. Ishte mesfushori Bakayoko ai i cili shënoi me kokë, për t’i dhënë epërsinë dygolëshe skuadrës nga principata, epërsi e cila u mbajt deri në fund dhe ishte e mjaftueshme që Monaco të arrinte në çerekfinale.
Duhet përmendur që kjo është hera e parë që Pep Guardiola nuk e arrin fazën çerekfinale në karrierën e tij si trajner.
Përveç Monacos, sonte çerekfinalen e siguroi edhe Atletico Madridi, derisa shorti për çiftet çerekfinaliste mbahet të premten.