EKSKLUZIVE: ANEL RASHKAJ
Rikthimi i Rashkajt, gjen Kosovën në një situatë të re
8 June, 2017 @13:03
Ai e nisi aventurën për Kosovën si kapiten i saj. Mesfushori organizator me tipare sulmuese, Anel Rashkaj, u bë kapiteni i parë i Kosovës në përballjen ku Kosova kishte barazuar me Haitin 0-0 në Adem Jashari të Mitrovicës, kur u pranua të luajë vetëm ndeshje miqësore nga FIFA.
Rashkaj pësoi rënie në karrierë dhe nuk arriti të shijojë Kosovën si pjesë e plotë e UEFA-së dhe FIFA-së. Mirëpo, selektori Albert Bunjaki e kishte parasysh mesfushorin dhe me të treguar veten në ekipin e ri, Eskilstuna City, Vasby, 27 vjeçari mori ftesën menjëherë për përballjen kualifikuese ndaj Turqisë, të dielën më 11 qershor.
Shiko: TABELAT DREJT RUSIA 2018
“Shumë është ndjenjë e mirë të jem pjesë e përfaqësueses. Posaçërisht tash, kur lojtarët janë të një niveli më të lartë. Gjithashtu, tash ndeshjet janë kualifikuese dhe është situatë krejt tjetër me atë që ka qenë më parë,” ka thënë Rashkaj, në një bisedë ekskluzive me Borozani.com, disa ditë para përballjes ndaj Turqisë.
Mirëpo, Rashkaj 27 vjeç si zakonisht është treguar modest. Ai nuk ka thënë as po, e as jo për dëshirën e tij për të luajtur në 11-she të parë të Kosovës.
“Nuk e di. Aty vendos trajneri. E imja është të kryejë punën timë në stërvitje pastaj trajneri vendos për atë punë,” ka thënë shkurt ai.
Sidoqoftë, sa i përket stërvitjeve në Agron Rama të Obiliqit, Rashkaj ka vërejtur vështirësi në këtë terren jo të mirë dhe ka thënë se shihet si një terren i lehtë për lëndime.
“Stërvitjet janë duke kaluar mirë. Edhe unë jam në gjendje të mirë fizike. Por, mendoj që fusha nuk është optimale për të treguar cilësi dhe njashtu është e rrezikshme për lëndime potenciale, prandaj shpresoj që të mirren masa për të mirën e përfaqësueses dhe të lojtarëve në përgjithësi,” ka shtuar Rashkaj në fund.
Kosova pret Turqinë më 11 qershor në Loro Boriçi të Shkodrës. Derisa Kosova ka 1 pikë të fituar deri në tani nga 5 ndeshje kualifikuese, Turqia ka 8, ndërsa ka mposhtur Kosovën në përballjen e zhvilluar në Antalya, 2-0.