RAFET PREKAZI
Kthehet Prekazi, tash stërvitjet në fushë sintetike
8 June, 2017 @10:02
Pasi që në ditët e para mungoi për shkak të disa angazhimeve private, përzgjedhësi i Kosovës U21, Rafet Prekazi i është kthyer ekipit dhe ka lëvdëruar punën e bërë deri tash nga trajneri Erdogan Celina, duke e quajtur disciplinën, “maksimale”.
“Kemi zgjedhur të punojmë në fushën me bari sintetik këtu në Podujevë, pasi edhe ndeshjen kundër Norvegjisë do ta luajmë në fushë me bari sintetik. Në dy ditët e kaluara futbollistët kanë pasur disa ankesa në fushë, pasi cilësia e barit sintetik në Kosovë në përgjithësi nuk është në nivelin më të mirë, por sot fati ishte me ne ngase para stërvitjes ka rënë shi dhe fusha ka qenë në nivelin e duhur. Jam i kënaqur me angazhimin e futbollistëve, por edhe me sjelljen dhe disiplinën që ata tregojnë,” kanë qenë fjalët e Prekazit drejtuar futbollistëve U21 të Kosovës, të cilët janë duke ushtruar në atmosferë shumë të mirë.
Kosova U21 do të ndeshet me moshatarët nga Norvegjia, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2019. Ndeshjen e parë, Kosova U21 e humbi nga Irlanda U21, 1-0.