PETER BOSZ
Pse Dortmund vendosi për Bosz?!
7 June, 2017 @11:06
Borussia Dortmund, pas largimit të trajnerit të tyre Thomas Tuchel, vendosi që në vend të tij të sjell trajnerin e Ajaxit, Peter Bosz.
Një vendim interesant apo ndoshta i shpejt i krerëve të Dortmundit, por këtë është munduar ta arsyetojë uefa.com në një artikull ku shpjegon arsyet e përzgjedhjes së fituesit të Kupës së Gjermanisë dhe pjesëmarrësit të Ligës së Kampionëve - Borussia Dortmund.
“Nëse ka dikush që ende punon me filozofinë e Johan Cruyffit, është Peter Bosz. Ai më parë do të fitonte një ndeshje 5-4 sesa 1-0,” ka thënë Huib Rouqenhorst, ish drejtor sportiv i AGO Den Haag.
Pas Jurgen Kloppit dhe Thomas Tuchelit, Borussia Dortmund zhvilloi mjaft futbollin ofanziv. Me Boszin si pasardhës, që ka për model Cruyffin e Guardiolën, kjo gjë ka ardhur natyrshëm.
“Kam mësuar shumë nga Cruyff. Ai ma ka ndërruar mënyrën e të menduarit për futbollin,” ka thënë Bosz, i cili ka luajtur si mesfushor defanziv, i njohur si shkatërrues i lojës së kundërshtarit.
Bosz çoi Ajaxin në finale të Europa Ligës në stinorin e fundit, ndërsa në Eredivisie përfundoi si nënkampion. Ai është 53 vjeç, ndërsa ka nënshkruar kontratë deri më 30 qershor të vitit 2019 me ekipin e verdhezinjëve nga Signal Iduna Park.