KOSOVA U-21
Rron Broja pret fitore ndaj Norvegjisë
7 June, 2017 @8:48
Njëri ndër mesfushorët e dalluar të përfaqësueses së Kosovës, Rron Broja, në një prononcim gjatë përgatitjeve të reprezentacionit U21 të Kosovës para ndeshjes ndaj Norvegjisë, është shprehur optimist.
“Atmosfera brenda grupit është jashtëzakonisht e mirë. Edhe sot të gjithë kemi punuar me përkushtim të madh. Pres që kështu të vazhdojmë edhe në ditët në vazhdim. Sa i përket ndeshjes me Norvegjinë presim të fitojmë pikën e parë në këto kualifikime, pse jo edhe të fitojmë. Sigurisht se do të jetë vështirë por e kemi vullnetin dhe entuziazmin në anën tonë, prandaj besoj se do t’ia arrijmë këtij qëllimi. Ardhja e Sulejmanit dhe Ismajlit do të na ndihmojë shumë. Kjo po vërehet edhe në stërvitje, pasi prania e tyre e ka rritur dukshëm cilësinë në ekip. Besoj se ata do ta bëjnë diferencën edhe në lojë,” ka thënë Broja për faqen zyrtare të FFK-së.
Kosova ka humbur ndeshjen e parë kualifikuese ndaj Irlandës me rezultat minimal 1-0. Në Marienlyst të Drammenit, më 12 qershor futbollistët e drejtuar aktualisht nga Erdogan Celina do të zhvillojnë duelin e dytë kualifikues, ndaj Norvegjisë.