ME TRAJNER TË RI NË PRANVERË
Rilindja 1974 emëron Senad Alirifën kryetrajner
9 January, 2024 @14:44
Ish-trajneri i Malishevës në Superligë, Senad Alirifa, zyrtarisht është kryetrajner i ekipit të Ligë së Parë që garon në Grupin A.
Dje, ekipi i Rilindjes 1974 që ka arritur të shënojë tre fitore në 14 xhirot e deritashme të Ligës së Parë ka bërë të ditur se ka angazhuar Alirifën në krye të shtabit teknik, që do ta zëvendësojë Fisnik Gashin që kreu detyrën deri tash aty.
“Kemi arritur marrëveshje me trenerin e mirënjohur Senad Alirifa.
Mirësevjen në KF Rilindja 1974. Na priftë e mbara!” — ka shkruar njoftimi i shkurtër i ekipit pejan që garon në kategorinë e dytë të futbollit të Kosovës.
Kujtojmë, Rilindja 1974 kishte ardhur për herë të parë në Ligë të Parë të Kosovës gjatë stinorit 2022/23, kur arriti të ngritej nga Liga e Dytë në stinorin 2021/22.
Përndryshe, një lloj mobilizimi i ekipit të Rilindjes 1974 po shihet, pasi që ekipi ditë më parë zyrtarizoi Donart Sheqerollin mesfushorin me përvojë në ekip, ndërsa në ndërkohë në radhët e veta shtoi edhe qendërmbrojtësin e deritashëm të Flamurtarit Leutrim Kadriu si dhe mbrojtësin e krahut të të njëjtit ekip, Getuar Leci.