FIBA EUROPE CUP - GRUPI H
Rivali i Prishtinës, Enisey, siguron fazën tjetër
9 November, 2016 @15:21
Skuadra ruse që ende nuk është mposhtur në Grupin H të FIBA Europe Cup, Enisey, ka mposhtur sot ekipin bullgar Rilski Sportist dhe ka siguruar fazën e radhës në këtë garë.
Enisey ka qenë dukshëm më i mirë se ekipi i Rilskit, duke kryer punën kryesore në çerekun e dytë, me rezultat 30-14.
Pas kësaj puna e Rilskit u vështirësua shumë, ndërsa ekipi nga Krasnoyarsk i Rusisë marshoi drejt fitores së katërt nga katër ndeshje të zhvilluara për të siguruar fazën e radhës në këtë garë me fitore, 104-84.
Më të dalluarit te Enisey kanë qenë Suleiman Braimoh me 22 pikë të shënuara dhe 4 kërcime, pastaj Frank Elegar me 15 pikë, 11 kërcime e 3 asistime, derisa Alexey Vzdykhalin shtoi 21 pikë, 5 kërcime e 3 topa të vjedhur për fitoren e ekipit të drejtuar nga trajneri Oleg Okulov.
Në anën tjetër, te Rilski, më efikas ka qenë ish-lojtari i Pejës, Nenad Delic me 22 pikë të shënuara dhe 3 kërcime, që nuk kanë mjaftuar për fitoren e ekipit të drejtuar nga Ludmil Ludmilov Hadjisotirov.
Derisa Enisey tash do të zhvillojë ndeshje prestigji me bilanc 4-0, Sigal Prishtinës i mbetet të mposht sonte Demir Insaatin turk dhe të shpresojë në fitore ndaj Rilskit e pse jo edhe Eniseyit kur shikohet loja e parë mes tyre për të kërkuar kualifikimin në fazën e radhës të FIBA Europe Cup.
TABELA AKTUALE E GRUPIT H:
1 | Enisey (RUS) | 4-0 | ||
2 | Demir Insaat (TUR) | 2-1 | ||
3 | Rilski Sportist (BUL) | 1-3 | ||
4 | Sigal Prishtina (KOS) | 0-3 |