NË DITËN E FUNDIT TË AFATIT KALIMTAR

Robert Cartwright përforcimi i fundit i huaj i Pejës
11 March, 2020 @23:55
Basketbollisti amerikan, Robert Cartwright, është përforcimi i fundit i huaj i Pejës në afatin kalimtar për këtë sezon në Superligë të Kosovës.
Sot u mbyll afati kalimtar për basketbollistë të huaj në Superligë dhe verdhezinjtë tashmë kanë kompletuar tërësisht skuadrën, në synimin e tyre për të fituar titullin e kampionit që në vitin e parë të rikthimit në Superligë pas suspendimit, pasi që në muajin e shkuar fituan edhe Kupën e Kosovës.
I lindur më 4 gusht të vitit 1995 në Pasadena të Kalifornias, Cartwright është playmaker dhe pritet të organizojë edhe më mirë lojën e verdhezinjëve në javët e fundit të stinorit të rregullt, ku ekipi i drejtuar nga Adis Beciragic kërkon të ngritet sa më lartë në klasifikim.
Përndryshe Cartwright ka qenë pjesë e ekipit univeristar Irvine Anteaters ku në vitin 2019 ka pasur mesatare prej 21 minutash lojë, 7.1 pikë për ndeshje, 2.4 asistime dhe 34.6% saktësi në tentimet e tij për tre pikë.