GJAKOVË
Rudi, sjell fitore për Vëllaznimin
16 November, 2014 @15:30
Vëllaznimi ka vazhduar serinë e fitoreve në shtëpi. Gjakovarët të cilët nuk po arrijnë rezultate të mira në Superligë, po e shfrytëzojnë maksimalisht terrenin vendas, duke shënuar fitore.
Kështu, ekipi i Genc Hoxhës ka arritur të shënojë fitore fare në fund të ndeshjes, ndaj Istogut, duke e mposhtur 2-1.
Vëllaznimi arriti në epërsi përmes Mevlan Zekës në pjesë të parë. Ndërsa më pas, pas një gabimi të portierit, Mark Milicaj shënon nga gjuajtja e lirë, derisa Altik Muhaxhiri në tentim grushtimi të topit, e drejtoi atë kah porta e tij.
Në fund të ndeshjes, Lorik Rudi, duket të gjindet më së miri në rrëmujën e zonës së rrezikshme të Istogut për t’ia dhënë fitoren e tretë me radhë në shtëpi kuqezinjëve.
Gjakovarët kështu bëjnë një ndarje të lehtë në tabelë nga pjesa e poshtme e tabelës, derisa Istogu tashmë është vetëm 2 pikë larg fundit të tabelës.