EUROBASKET
Rusia then akullin!
9 September, 2013 @23:10
Përmballja e dy ekipeve të dështuara, Rusisë dhe Turqisë, e nxorri fitues skuadrën ruse, e cila triumfoi me rezultat 77-89, duke e thelluar epërsinë kryesisht në çerekun e fundit.
Sergey Karasev ishte i shkëlqyeshëm në fitoren e parë të rusëve. Ai shënoi 25 pikë e 5 kërcime, kurse tek turqit më i miri ishte Oguz Savas me 18 pikë, derisa Kerem Gonlum e përmbylli takimin me një pikë më pak.
Kjo ishte ndeshja përshëndetëse për të dy skuadrat, pasi që më parë i kishin humbur gjasat për kualifikim në fazën e dytë në Eurobasket.
Mali Zi e mposht Serbinë
Në duelin ndërmjet dy shteteve fqinjë fitues doli Mali i Zi, i cili e mposhti Serbinë me rezultat 83-76.
Qendra serbe Rasko Katic luajti me 19 pikë, ndërsa lojtari kryesor i serbve, Nenad Krstic, nuk u mundua shumë në këtë ndeshje dhe mbeti vetëm rreth 8 minuta në fushë, pasi që ekipi i tij e kishte siguruar kualifikimin më parë dhe kjo ndeshje nuk kishte shumë rëndësi.
Për skuadrën fituese më i dalluari ishte përsëri plejmekeri amerikan Tyrese Rice, i cili realizoi 12 pikë, 2 kërcime dhe 4 asistime.
Polonia bën sefte!
Sikurse Rusia, edhe Polonia shënoi fitoren e parë, dhe atë në ndeshjen e fundit të saj.
Polakët e mposhtën nikoqirin e kampionatit, Slloveninë, me rezultat 61-71.
Thomas Kelati i polakëve ishte koshashënuesi më i mirë i këtij dueli me 21 pikë, derisa bashkëkombasi i tij, qendra Marcin Gortat realizoi double-double me 19 pikë e 12 kërcime.
Te skuadra nikoqire 13 pikët e Domen Lorbek dolën të jenë të pamjaftueshëm për fitore.
Franca si në stërvitje
Franca nuk kishte aspak problem për ta mposhtur Belgjikën. Nën patronatin e Tony Parker, i cili luajti me 20 pikë, françezët shënuan fitore me rezultat 65-82.
Parker u ndihmua nga 21 vjeçari Joffrey Lauvergne (14) dhe Mickael Gelabale, kurse te belget u dallua Axel Hervelle me 13 pikë.
Rezultatet e ndeshjeve
Turqia | Rusia | 77 - 89 | |
Mali i Zi | Serbia | 83 - 76 | |
Sllovenia | Polonia | 61 - 71 | |
Belgjika | Franca | 65 - 82 |