Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PLAYOFF

S’arritëm! Finalistët e PlayOffit për 4 biletat e fundit për EURO

Fotot: uefa.com

S’arritëm! Finalistët e PlayOffit për 4 biletat e fundit për EURO


9 October, 2020 @9:25

Nata e 8 tetorit të vitit 2020 do të mbahet gjatë në mend ka gjithë Kosova. Mundësia jetike për të qenë një hap afër EUROs shkoi pas humbjes nga Maqedonia e Veriut 2-1 në një ndeshje ku për Kosovën vetëm pak nga pjesa e parë vlen të përmendet.

Përndryshe, në duelet tjera të rrugëtimit të kombëtareve për në EURO 2020, për të mbushur katër vendet e zbrazëta të evropianit, tashmë janë përcaktuar finalet pas ndeshjeve të mbrëmshme gjysmëfinale.

Përndryshe, vetëm në Grupin D të PlayOffit dhe atë A nuk ka pasur vazhdime. Te Grupet B dhe C, të gjitha ndeshjet shkuan në vazhdime e penallti (tre prej katër).

GRUPI A:

Nga Grupi A, Islanda mposhti Rumaninë 2-1, ndërsa Bullgaria u mposht nga Hungaria 1-3, për të përcaktuar finalen Hungaria - Islanda. Fituesi shkon në EURO.

Përvoja e Gylfi Sigurdsson i siguroi islandezëve finalen, i cili me dy gola kreu punë në pjesë të parë, për t’i lënë rumunët të vrapojnë dhe të tentojnë në pjesë të dytë për përfundimtaren 2-1 [Sigurdsson 16, 34 - Maxim 63p].

Iceland

Hungaria u tregua shumë e fortë për Bullgarinë, pasi që vazhdimisht dominoi dhe fitoren e siguroi brenda 50 minutave lojë, në ndeshjen që përfundoi 1-3 [Yomov 89 - Orban 17, Kalmar 47, Nikolic 75].

GRUPI B:

Në Grupin B, Bosnja humbi në shtëpi finalen, pasi që u eliminua nga Irlanda e Veriut pas penalltive 1-1 (3-4) [Krunic 13 - McGinn 53], ku Hajradinovic dhe Visca dështuan të shënojnë për boshnjakët për të arritur finalen.

Në duelin tjetër të B-së, Sllovakia eliminoi Irlandën pas penalltive, pasi që pas 120 minutave lojë s’kishte gola. 0-0 [4-2], ku Broëne dhe Doherty dështuan të shënojnë për irlandezët, derisa te sllovakët secili shut nga 11-metërshi përfundoi në portë të kundërshtarit.

Finalja Irlanda e Veriut - Sllovakia, për biletën në EURO. Të dyja kanë qenë pjesëmarrëse në EURO 2016 dhe tash njëra nuk do të mund të shkojë për herë të dytë me radhë në evropian.

GRUPI C:

Në Grupin C të PlayOffit, Skocia pas penalltive siguroi finalen duke e eliminuar Izraelin 0-0 (5-3). Ndërsa në përballjen tjetër serbi Sergej Milinkovic Savic ka qenë motori i Serbisë që ia hapi rrugën atyre për EURO 2020, duke eliminuar Norvegjinë vendase pas vazhdimeve 1-2 [Normann 88 - Savic 81, 102].

Scotland

E interesantja, Milinkovic-Savic u fut në lojë në minutën e 80 të ndeshjes nga selektori Ljubisa Tumbakovic për të bërë kthesën e madhe! Ndërsa talenti Erling Haaland me bashkëlojtarët e tij do të duhet të kërkojnë EUROn e radhës.

Savic

Finalja Serbia-Skocia, për një biletë në EURO.

GRUPI D:

E te Grupi D i PlayOffit nuk duhet cekur asgjë më shumë. Maqedonia Veriore mposhti Kosovën 2-1, ndërsa Gjeorgjia Bjellorusinë 1-0 për finalen që luhet në Gjeorgji dhe cilado që e fiton këtë ndeshje - do të shkruajë historinë e vendit duke u bërë debutuese në EURO.

Macedonia

Të gjitha ndeshjet finale do të luhen më 12 nëntor 2020 dhe fituesit do të sigurojnë EURO 2020-shin, që luhet verën e ardhshme, pasi u shtye për shkak të pandemisë.


 
Të gjitha lajmet nga