SAMI SERMAXHAJ
Sermaxhaj: Goli i hershëm na nxorri nga organizimi
24 April, 2021 @18:06
Skuadra e Drenicës sot i shpëtoi humbjes me golin e shënuar nga Kreshnik Uka në minutën e fundit, për ta mbyllur ndeshjen me Feronikelin me rezultat të barabartë 1-1.
Nikli në këtë ndeshje pati epërsinë qysh në minutën e parë, ndërsa sipas trajnerit të Drenicës, Sami Sermaxhaj, ky ishte faktori kryesor që Drenica nuk arriti ta luajë lojën e saj.
“Feronikeli sot luajti jashtëzakonisht mirë dhe shënoi shumë herët. Ai gol edhe na nxorri nga organizimi dhe pastaj në pjesën e parë nuk ishim në organizimin tonë. Në pjesën e dytë bëmë përpjekjet maksimale dhe për këtë i përgëzoj lojtarët për këmbëngulësinë, vullnetin dhe dëshirën që së paku të mos pësojmë humbje. Këto dy pikë që i lamë sot janë mjaftueshëm dhimbshëm, por ne do të vazhdojmë tutje për t’u angazhuar që ta mbajmë Drenicën në Superligë”, tha Sermaxhaj për Art Sport.