PËRBALLJA
Sevilla shpreson rezultat pozitiv ndaj Juventusit
14 September, 2016 @13:01
Skuadra e Sevillës, fituese e shumëfishtë e Europa Ligës, kësaj radhe ka të garantuar Ligën e Kampionëve, pasi që u ndërruan rregullat e UEFA-së (kampioni i Europa Ligës, siguron Ligën e Kampionëve, tash e tutje).
Mirëpo, ekipi i drejtuar nga ish-trajneri i Kilit, Jorge Sampaoli, duket se nuk kënaqet me pjesëmarrje në Ligë të Kampionëve.
“Nëse Alavesi mund ta mposht Barcelonën, pse ne mos ta mposhtim Juventusin?” ka thënë kryetari i Sevillës, Jose Castro për të përditshmen Estadio Deportivo.
Në anën tjetër Juventus kërkon hapin final. Në stinorin 2014/15 arritën finalen ku u mposhtën nga Barcelona, ndërsa në stinorin e kaluar përkundër paraqitjeve të mira, nuk i bën ballë Bayern Munchenit në të tetën e finales.
“Ndeshja e parë është më e rëndësishmja,” ka thënë Massimiliano Allegri, trajner i Juventusit, në konferencë për shtyp para ndeshjes.
“Sevilla ka ndërruar. Luajnë më në sulm dhe kanë përvojë të madhe në gara europiane, ku kanë triumfuar disa herë,” ka shtuar ai.
Përveç Sevillës, Juventus në Grupin H ka kundërshtar edhe Dinamo Zagrebin dhe Lyonin.