TINEJXHERI VENDOS DUELIN GJIGAND
Shpresa e re braziliane Endrick vendos, Brazili fiton Anglinë në Wembley
24 March, 2024 @1:37
Anglia është mposhtur në “Wembley” pas 21 ndeshjeve. Fajtor për këtë ka qenë senzacioni i ri brazilian, Endrick, që ka vendosur ndeshjen 10 minuta para fundit të saj [Anglia-Brazili 0-1], derisa dukej që dueli shkonte drejt fundit me një barazim pa gola, përkundër rasteve të të dyja skuadrave. Me raste në përgjithësi, Brazili dominoi ndeshjen derisa dyshja e Real Madridit Vini dhe Rodrygo depërtonin me lehtësi pas mbrojtjes së rëndë angleze.
Por, zëvendëuesi 17 vjeç Endrick u përkujdes të shënojë një gol të lehtë pas depërtimit të Vini Jr. Brazilianët festuan në fund, ndërsa Anglia mbeti duke numëruar problemet me lëndimin e Kyle Walkerit, pastaj Jude Bellinghamit, derisa rastin për të përmendur për vendasit e kishte Ollie Watkins në pjesë të parë. Endrick në fakt nuk e pati fare të vështirë të shënojë golin, pasi që Vini Jr i iku mbrojtjes dhe goditjen e tij të devijuar nga Jordan Pickford, i riu e shtyu në portë për fitore.
Gareth Southgate i dha mundësi për debutim Anthony Gordonit nga fillimi i ndeshjes, ndërsa Ezri Konsa dhe Kobbie Mainoo shijuan debutimin si zëvendësues.
Brazilianët të drejtuar nga Dorival Jr. me Endrickun në ngritje presin që të kenë superyllin që i mungon në ekip, ndërsa mesfusha me Bruno Guimaraes, Lucas Paqueta e Joao Gomes - dukej motor i lojës së tyre.