OLSEN

Shqipëria e meritoi fitoren!
8 June, 2013 @11:11
Barazimi me rezultat 1-1 e Norvegjisë ndaj Shqipërisë në Tiranë, me siguri që do të thotë shumë për norvegjezët, duke pasur parasysh lojën e dobët të tyre përballë kuqezinjëve.
Këtë e ka pranuar edhe trajneri Egil Olsen, i cili nuk ka hezituar t’i shpreh kritikat e tij ndaj lojës së norvegjezëve.
“Kemi bërë një ndeshje mjaft të dobët. E nisëm lojën shumë keq, gjë që ishte mjaft e rëndësishme. Duhej të ishim ne që dominonim në fillim të takimit, por në fakt këtë gjë e bëri Shqipëria. Kemi bërë gjithashtu 4-5 gabime të pafalshme gjatë 90 minutave, të cilat mund të na kushtonin,” ka deklaruar pas ndeshjes trajneri i Norvegjisë, Olsen.
“Nuk e merituam barazimin, për vetë lojën që zhvilluam. E vetmja gjë e mirë që bëmë ishte pikërisht goli i barazimit, kur skuadra bëri një nga lëvizjet e duhura në zonë. Mund të them se jam i kënaqur që morëm një pikë në Tiranë, por edhe që Sllovenia ka fituar ndaj Islandës, sepse ne ende jemi me llogari të hapur për t’u kualifikuar,” përfundoi tekniku norvegjez.