Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

GRUPI B: KROACIA - SHQIPËRIA

Shqipëria s’dorëzohet, barazon në fund ndaj Kroacisë në Hamburg!

Shqipëria s’dorëzohet, barazon në fund ndaj Kroacisë në Hamburg!


19 June, 2024 @16:58

Pas humbjes nga Italia në ndeshjen e parë të grupit, sot Shqipëria ka barazuar 2-2 ndaj Kroacisë, në një takim në të cilin Shqipëria ishte shembullore për rreth 70 minuta, e më pas gjithçka mori kahjen e gabuar, para se goli i kohës shtesë të bënte që Shqipëria të largohet nga kjo ndeshje të paktën me një pikë.

FORMACIONET STARTUESE

Me dy ndryshime në formacionin startues për dallim nga ndeshja e kaluar (Laçi dhe Manaj në vend të Seferit e Brojës), Shqipëria zhvilloi pjesë të parë tejet të mirë. Vetëbesim, disiplinë dhe pjesë e parë e menaxhuar tejet mirë për Shqipërinë, që për më tepër shkoi në pushim me epërsi minimale 0-1.

Golin e vetëm në këtë pjesë e shënoi Qazim Laçi me kokë pas krosimit të ardhur nga Jasir Asani (11’), ndërkohë përveç golit të shënuar, rast të artë për shënim pati Kristjan Asllani (31’), gjuajtja e të cilit prej pak metrave u prit nga Livakovic i kroatëve.

Rreth fundit të pjesës së parë, edhe Rey Manaj kishte rast të mirë për shënim, por gjuajtja e tij me kokë ishte shumë e butë.

Në anën tjetër, kroatët nuk është se treguan diçka konkrete në pjesën e parë, me mesfushën dhe mbrojtjen shqiptare që ishin fantastike.

EURO2024 - TABELAT E GRUPEVE DHE ORARI

Pjesa e dytë nisi me kroatët që i bënë menjëherë dy zëvendësime, të cilat iu bënë tejet mirë atyre. Pak pasi filloi kjo pjesë, porta shqiptare u shpëtua nga një pritje mjaft e mirë e Thomas Strakoshës, e pastaj kroatët rrezikuan edhe disa herë, derisa e gjetën golin e barazimit fillimisht, e më pas edhe atë të përmbysjes së plotë.

Në minutën e 74’, Andrej Kramaric barazoi shifrat në 1-1, e dy minuta më vonë, zëvendësuesi Klaus Gjasula shënoi një autogol tejet të pafat dhe gjithçka kaloi në anën e kroatëve.

Në anën tjetër, Shqipëria që gjatë pjesës së dytë rrezikonte përmes kundërsulmeve kohë pas kohe, u demoralizua fillimisht pas dy golave të pësuar shpejt, por megjithatë dalëngadalë e mori veten dhe u rikthye në lojë.

Inkuadrimet e Arbër Hoxhës e Mirlind Dakut i dhanë shpirt skuadrës, e krejt në fund erdhi edhe goli i barazimit.

Klaus Gjasula, ai që e shënoi autogolin, ia mundësoi Shqipërisë që nga kjo ndeshje të largohet të paktën me 1 pikë, duke shënuar në minutën e pestë të kohës shtesë për 2-2, rezultat me të cilin edhe u mbyll kjo përballje.

Për t’u përmendur nga kjo ndeshje ishte atmosfera fantastike e krijuar nga shqiptarët sot në Hamburg, të cilët si zakonisht ishin në numër tejet të madh në përkrahje të Shqipërisë.

Kujtojmë që përveç dy vendeve të para nga secili grup, në 1/8 e finales kalojnë edhe 4 vendet e treta më të mira të grupeve, arritje që për Shqipërinë të paktën matematikisht është ende e mundshme.

Ndeshjen e tretë të grupeve Shqipëria e luan më 24 qershor ndaj Spanjës, e Kroacia përballet me Italinë.


 
Të gjitha lajmet nga Evropiani