DUELET PËRGATITORE

Foto: FSHF
Shqipëria U17 mposhti Kosovën U17 në miqësoren e parë
Teksti: FFK & FSHF
15 October, 2023 @16:02
(FFK)—Kombëtarja e Kosovës U17 ka zhvilluar sot miqësoren e parë kundër Kombëtares së Shqipërisë të së njëjtës grupmoshë. Ndeshja e zhvilluar në “Kukës Arena” është përmbyllur me rezultat 2:1 në të mirë të kuqezinjve. Të përzgjedhurit e Arbnor Morinës patën paraqitje shumë të mirë në pjesën e parë, ku edhe e kapitalizuan me gol të Fation Haxhiut, në minutën e 25-të. Me këtë epërsi Dardanët e rinj shkuan në pushim dhe madje arritën ta menaxhojnë rezultatin deri në minutat e fundit të ndeshjes, kur pas zëvendësimeve të shumta në përbërje nga Morina ndodhi përmbysja e rezultatit. Fillimisht realizoi Matias Gici, në minutën e 89-të, derisa golin e fitores për Shqipërinë U17 e shënoi Renato Halili, në minutën e tretë të kohës shtesë. Miqësorja e radhës e këtyre dy kombëtareve do të zhvillohet të hënën në orën 11:00, sërish në “Kukës Arena”. Këty dy miqësore do t’i shërbejnë përzgjedhësit Morina dhe stafit të tij për ndeshjet kualifikuese për Evropian, që zhvillohen muajin e ardhshëm.
(FSHF)—Kombëtarja shqiptare U-17 triumfoi me përmbysje 2-1 në miqësoren e parë me Kosovën U-17, që u luajt në stadiumin “Kukës Arena”. Për kuqezinjtë shënuan Matias Gici dhe Renato Halili.
Trajneri Ardi Behari e nisi ndeshjen me këtë formacion: Etem Xhemali, Davide Avdullari (C), Kris Gecaj, Fabjano Nuhaj, Renato Halili, Eraldo Karaj, Kleo Shpuza, Jurgen Peci, Mateo Dashi, Brayan Gjyla, Oresti Rifa.
Pjesa e parë, për ekipin e drejtuar nga trajneri Behari përfundoi në disavantazh 0-1. Kosova U-17 zhbllokoi takimin në minutën e 25-të me Fation Haxhiu. Megjithatë pjesa e dytë ishte një tjetër simfoni.
Trajneri Ardi Behari kreu disa zëvëndësime duke aktivizuar lojtar si Vogli, Sina dhe Gici. Pikërisht ky i fundit ishte vendimtar duke barazuar rezultatin 1 minutë përpara përfundimit të kohës së rregullt, 89-tën, ndërsa përmbysja erdhi në minutën e tretë shtesë me Halilin.
Të dyja skuadrat do të zhvillojnë sërish një tjetër ndeshje miqësore dy ditë më pas, më 16 tetor, po në stadiumin “Kukës Arena”, në orën 11:00.
Këto teste janë të rëndësishme për Shqipërinë U-17, në prag të kualifikueseve të Euro 23/24 për këtë grupmoshë. Kuqezinjtë janë pjesë e grupit 5 me Portugalinë, Çekinë dhe Malin e Zi. Ndeshjet do të zhvillohen në periudhën 15-21 nëntor 2023.