ME BARAZIM NË CHISINAU
Shqipëria vulos kualifikimin në EURO 2024
17 November, 2023 @19:16
Në një ndeshje me intensitet të lartë, veçanërisht në 10 minutat e fundit të ndeshjes, Shqipëria ka siguruar kualifikimin në Kampionatin Evropian “EURO 2024” në Gjermani. Kuqezinjtë kanë mbyllur takimin me barazim ndaj Moldavisë, 1-1, [Vladislav Baboglo 87’ - Sokol Çikalleshi 25’pen.], ndërsa kjo i ka mjaftuar për të siguruar njërën nga dy vendet e para në Grupin E kualifikues për t’i çuar ata në evropian.
Pjesa e parë e ndeshjes kaloi me dominim të lartë në posedim të topit për Shqipërinë. Kuqezinjtë në raste shënonin 70-30 epërsi në posedim, ndërsa raste për gol shumë nuk kishte, pos një rrezikimi nga moldavët, që u ndalë refleksivisht nga Etrit Berisha. Në aksionin tjetër, depërtimi nga e majta, nisur me Mitajn, mbërriti te Seferi në zonë, që në tentim driblimi u pengua dhe referi që ishte shumë afër rastit, vendosi pa dyshim për penallti. Cikalleshi çoi portierin në anë të majtë të tij, për të shutuar lehtë në të djathtën për epërsi.
Pjesa e dytë nisi me kërkim shumë më të madh të moldavëve. Mirëpo, mbrojtja kuqezi qëndronte e organizuar, ndërsa Berisha në portë, tregonte përvojën thuajse në secilin rast. Kështu vazhdoi deri vonë në ndeshje, ndërsa Shqipëria tentoi 2-3 herë, për të befasuar portën moldave me kundërsulme. Kah fundi, Moldavia arriti barazimin kur Baboglo realizoi nga afërsia, por kjo ishte e tëra për vendasit. E në anën tjetër, Shqipëria nën Sylvinhon siguroi biletën përfundimisht për Gjermani.