Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

SHQIPËRI - IZRAEL

Shqipëria zhgënjen, mposhtet nga Izraeli në Tiranë

Foto: Valon Butovci

Shqipëria zhgënjen, mposhtet nga Izraeli në Tiranë


10 June, 2022 @22:49

Pas barazimit ndaj Islandës ditë më parë, sonte Shqipëria u mposht 1-2 nga Izraeli në Tiranë, humbje e cila mund t’i kushtojë shumë në luftën për vendin e parë të grupit, synim që shihej si real sidomos pas përjashtimit të Rusisë nga gara.

Shqipëria ishte më e mirë në pjesën e parë, e më pas pati rënie drastike gjatë pjesës së dytë, gjë që i kushtoi me përmbysje të epërsisë dhe humbje të përballjes.

Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll 1-0 për Shqipërinë, me golin e vetëm që u shënua nga Armando Broja. Ky i fundit u tregua i saktë nga penalltia e fituar nga Ivan Balliu (45+2).

Përveç golit të shënuar, rasti më i mirë për Shqipërinë në pjesën e parë u paraqit rreth minutës së 35’, kur goditja e Myrto Uzunit u prit nga portieri mysafir. Para atij rasti Shqipëria pati një penallti të anuluar me ndihmën e sistemit VAR, ndërkohë që izraelitët nuk treguan shumë në këtë pjesë, për t’u ngjallur më pas në të dytën.

LIGA E KOMBEVE - TABELAT

Mysafirët e filluan mjaft mirë pjesën e dytë dhe shtuan sulmet. Kjo iu shpërblye atyre me gol, kur shënuan në minutën e 58’ përmes futbollistit Solomon pas një kundërsulmi të organizuar mjaft mirë.

Më pas, izraelitët e gjetën edhe golin e dytë, kur Solomon shënoi për 1-2 pas vendosjes aspak të mirë të mbrojtjes shqiptare (73’).

Pas golit të dytë të pësuar, Shqipëria shtoi paksa sulmet. Në minutën e 75’, Elseid Hysaj e barazoi rezultatin në 2-2, por që goli u anulua për shkak të pozitës jashtë loje dhe mysafirët mbeten në epërsi.

Në minutat e mbetura të ndeshjes Izraeli e menaxhoi mirë epërsinë e krijuar, e Rejës nuk i bënë punë as inkuadrimet e Balajt e Vrionit në sulm. Goli i barazimit nuk erdhi në asnjë moment dhe ndeshja u mbyll me humbje.

Kështu, Shqipëria mbetet me 1 pikë pas dy ndeshjeve të para në grup, ndërkohë që Izraeli tashmë i prin grupit me 4 pikë dhe befasisht është favorit për ta mbyllur grupin në këtë pozitë.

Ndeshjen e ardhshme Shqipëria e luan më 13 qershor ndaj Estonisë, ndeshje miqësore, kurse pas saj ndeshjen e radhës e luan më 24 shtator si mysafire e Izraelit në kuadër të këtij grupi të Ligës së Kombeve.


 
Të gjitha lajmet nga Liga e Kombeve