GRUPI A
Një lojtar më pak, një gol më pak
11 June, 2016 @15:50
Shqipëria e ka filluar me humbje Kampionatin Europian EURO 2016. Ekipi kuqezi u mposht me rezultat minimal nga Zvicra, në ndeshjen të cilën e zhvilloi në të shumtën e kohës me një lojtar më pak.
Dalja e gabuar e portierit Etrit Berisha në minutën e pestë të takimit pas goditjes nga këndi, i ka kushtuar shumë skuadrës kuqezi, e cila pësoi me golin e shënuar nga Fabian Schaer.
Kuqezinjtë rrezikuan për herë të parë me anë të Taulant Xhakës në minutën 26’, i cili pas një kombinimi të bukur me Odise Roshin, goditi fortë, por gjuajtja shkoi jashtë portës.
Shqipëria kishte rast të mirë për të barazuar rezultatin në minutën 31’, kur Armando Sadiku mbeti ballë përballë me portierin helvet, mirëpo sulmuesit nga Elbasani i mungoi saktësia.
Në minutën 37’ Shqipëria mbeti me një lojtar më pak, pas kartonit të dytë të verdhë të Lorik Canës, i cili luajti me dorë në afërsi të zonës së rrezikshme.
Zvicra u afrua golit të dytë në minutën 38’, kur Blerim Xhemajli goditi shtyllën nga gjuajtja e lirë, derisa i njëjti kishte rast të mirë shënimi edhe në minutën 41’.
Etrit Berisha parandaloi golin e dytë të Zvicrës në minutën 43’, kur e ndali goditjen e fortë të Seferovicit, i cili ishte në pozitë të mirë për të shënuar.
PJESA E DYTË
Rast i ngjashëm ndodhi edhe në pjesën e dytë, kur Seferovic përsëri u tregua i rrezikshëm, por jo edhe aq mjaftueshëm për ta mposhtur Berishën.
Përzgjedhësi i Shqipërisë, Gianni De Biasi, vendin e zbrazur nga Lorik Cana e mbuloi duke e tërhequr prapa në pozitën e qendërmbrojtësit, Burim Kukelin, ndërsa në pjesën e dytë reagoi duke e futur Ergys Kaçen në vend të Taulant Xhakës.
Zvicra rrezikoi edhe njëherë në minutën 67’, kur pas një kundërsulmi të shpejtë Seferovic mbeti përsëri përballë Berishës, ndërsa ky i fundit edhe kësaj radhe reagoi në mënyrë të duhur duke mos lënë mundësi për rritje të disavantazhit.
Shqipëria filloi ta kërkojë edhe më shumë golin, kur nga minuta 73’ filloi të luajë me dy sulmues, edhe pse ishte me një lojtar më pak, duke e futur në lojë Sokol Cikalleshin në vend të Odise Roshit.
Sadiku kishte edhe një rast tjetër të mirë në minutë 76’, kur u gjend në afërsi të portës kundërshtare, por goditja e tij përfundoi në rrjetën e jashtme anësore të portës së portierit Sommer.
Në minutën 80’ Berisha u rrezikua edhe njëherë, kur goditja e Xherdan Shaqirit u ndal nga vetë portieri.
Rasti më i mirë i Shqipërisë ishte në minutën 87’ kur zëvendësuesi, Shkëlzen Gashi, pranoi një pasim të bukur nga mesfusha dhe ishte në pozitë ideale për shënim, por goditja e tij i zhgënjeu tifozët kuqezi.
Deri në fund, nuk kishte ndonjë tjetër rast të rëndësishëm dhe në fund fitores iu gëzua Zvicra që fitoi me rezultat 0-1.