LEGJIONARËT
Shqiptarët në Ligë të Kampionëve
30 July, 2013 @23:21
Skuadra e Baselit që është kampione e Zvicrës ka arritur të shënojë fitore ndaj kundërshtarit izraelit, Maccabi Tel Aviv, 1-0 në stadiumin St Jakob Park sonte. Mbrojtësi 19 vjeçar i Baselit, Arlind Ajeti, ka qenë gjatë gjithë ndeshjes në fushë dhe ka luftuar për ekipin e tij ashtu që të mos pranojë gol si vendas deri në fund, duke u ndëshkuar edhe me karton të verdhë - por në fund Basel ia arriti qëllimit. Më vonë gjatë ndeshjes, saktësisht në minutën e 63-të, trajneri i Baselit, Murat Yakin, ka futur në lojë edhe Taulant Xhakën për të përforcuar skuadrën nga aspekti defanziv, pasi që zviceranët tashmë kishin epërsinë 1-0, që u tregua të jetë edhe përfundimtarja e ndeshjes.
DINAMO FITON NË FUND
Në anën tjetër, edhe Arijan Ademi, mesfushori 22 vjeçar shqiptar me pasaportë kroate, që paraqitet edhe për përfaqësuesen kroate ka arritur të shënojë fitore të rëndësishme me Dinamo Zagrebin ndaj Sheriff Tiraspol të Molldavisë. Ademi nuk ka pasur ndonjë paraqitje mbresëlënëse dhe është zëvendësuar nga trajneri kroat, Krunoslav Jurcic në fillim të pjesës së dytë, në minutën e 49-të. Dinamo ka mposhtur Sheriffin 1-0 me anë të golit të Antonio Rukavina në minutën e 89-të të ndeshjes.
GRASSHOPERS MPOSHTET NGA LYONI
Treshja shqiptare e Grasshopersit, është mposhtur nga Olympique Lyon në Stade de Gerland 1-0. Amir Abrashi ka qenë gjatë gjithë kohës në fushë, derisa Shkëlzen Gashi, është zëvendësuar nga trajneri Michael Skibbe, në minutën e 78-të të ndeshjes. Ndërkaq, Mërgim Brahimi, nuk është futur për asnjë moment në këtë ndeshje.