NGA GJILANI

Ismet Munishi, trajner i deridjeshëm i Gjilanit/ Foto: SCGjilani/fb
Shumë premtime, asnjë trofe! Gjilani njofton për zëvendësuesin e Munishit
25 April, 2022 @18:42
Gjilani pas humbjes aspak të pritur nga Dukagjini në fundjavën që e lamë pas, 2-0, jo vetëm që thuajse i dorëzoi titullin Ballkanit, por tashmë ka vënë në rrezik edhe garat evropiane!
Kjo pasi që dallimi me Llapin është pesë pikë, ndërsa deri në fund të stinorit kanë mbetur edhe gjashtë xhiro. E Ismet Munishi nuk do të jetë timonier i skuadrës tashmë, gjë që u zyrtarizua edhe nga klubi bardhekuq nga Anammorava.
“Sport Club Gjilani njofton se ka mbyllur bashkëpunimin me shefin e shtabit teknik Imset Munishi. Klubi e falenderon Munishin për kontributin e dhënë duke i uruar shumë suksese në karrierën e tij sportive. Ekipin do ta drejtoj Alban Hyseni deri në fund të edicionit,” ka përfunduar njoftimi i Gjilanit.
Tash klubi i Gjilani do të mendojë mirë para se të marrë trajnerin e ri të skuadrës për edicionin 2022/23 pasi që financimin nuk e kanë problem.
Vetë kryetari i klubit të Gjilanit Florim Zuka i konfirmoi më parë Kohës atë që e njoftoi RadioStari i Gjilanit.
“Ismeti nuk do të jetë më trajner i Gjilanit. I kemi ndarë rrugët me të. Marrëveshja është e dyanshme, më shumë nuk kam koment,” kishte thënë ai shkurt.
Tash, disa minuta më parë edhe Ismet Munishi u deklarua përmes llogarisë së tij të Facebookut.
“Prej ditës së parë deri më sot, isha shumë krenar që isha në bankën e klubit të madh Gjilani. Falenderoj kryetarin Florim Zuka për mundësinë dhe përkrahjen që ma dha, tifozërinë “Skifterat” me të cilët së bashku ndamë gëzime, e kohëve të fundit edhe hidhërime! Kush më njeh e din se punën e bëj me zemër dhe përkushtohem 100%, por për fat të keq kjo nuk ishte e mjaftueshme që ne të dalim kampionë për çka vendosëm t’i ndajmë rrugët. Falenderoj stafin për bashkëpunim shumë të mirë që kishim dhe iu dëshiroj suksese në Evropë. Në fund, qershinë e kam për futbollistët e mi, që i dua shumë dhe i lus të vazhdojnë me krenari, t’i mbrojnë ngjyrat e klubit të madh SC Gjilani,” - ka shkruar Munishi në llogarinë e tij të Facebookut, ndërsa ne ia përmirësuam së paku gabimet drejtshkrimore.
Gjilani në gjashtë ndeshjet e fundit kampionale do të ketë punë ndaj Prishtinës (si vendas), Ulpianës (si mysafir), Dritës (v.), Llapit (m.), Malishevës (v.) dhe Ballkanit (m.).
Përndryshe, Gjilani me Munishin në tridhjetë xhirot e zhvilluara ka më së paku humbje (3), më së shumti barazime (13) ndërsa ka tubuar 55 pikë pas 30 xhirosh, e deri në fund kanë mbetur gjashtë xhiro, derisa lideri Ballkani ka 64 pikë!
Në Kupë u ndalën në çerekfinale! Nga Llapi 2-0!