MOYES

REUTERS
S’kemi cilësi për Ligë të Kampionëve
29 September, 2013 @16:09
Manchester United ka humbur tre ndeshje në gjashtë javët e para të Premier League. Ndërsa pas humbjes befasuese dje ndaj West Bromwich Albionit në Old Trafford, Moyes ka vënë në pyetje cilësinë e skuadrës së tij sa i përket Ligës së Kampionëve.
“Duhet të kemi gjashtë lojtarë të klasit botëror në ekip për të fituar Ligën e Kampionëve,” ka thënë skocezi Moyes, transmetojnë të gjitha mediat angleze sot.
“Shikoni Real Madridin, Barcelonën ose Bayernin. Ky është niveli që duhet të keni për të fituar Ligën e Kampionëve. Ne nuk e kemi këtë, por e kemi përvojën,” ka thënë ndër të tjera ai.
Djajt e kuq të Manchesterit kanë filluar kampanjën e Ligës së Kampionëve me fitore ndaj Bayer Leverkusenit në shtëpi 4-2. Mirëpo, këtë javë pritet të kenë punë shumë më të vështirë si mysafirë të Shakhtar Donetskut në Ukrainë të mërkurën.
Manchester United as në dy stinorët e kaluar nuk ka qenë i mirë në Ligë të Kampionëve, duke u eliminuar në grupe dhe herën e fundit në 1/16 e finales nga Real Madridi.
Humbja nga West Bromwich Albion ka qenë e para për Manchester Unitedin në shtëpi prej këtij ekipi që nga viti 1978.