PARTIZANI
Slovan Bratizlava-Partizani, si miqësore!
6 July, 2016 @20:56
Edhe pse UEFA e anuloi ndeshjen Slovan Bratislava-Partizani, e paraparë që të luhet në kuadër të ndeshjes së dytë të rrethit të parë në Europa League, megjithatë kjo ndeshje do të luhet.
Skuadrat kanë arritur marrëveshje që ndeshja të luhet në karakterin miqësor dhe në vend të stadiumit Senica në ora 19:00, siç ishte paraparë, ajo do të luhet në ora 12:00 në Bratislavë, pasi që Partizani veçse ka udhëtuar në Sllovaki për këtë ndeshje dhe zhvillimi i saj do t’i shërbente skuadrave si një test.
UEFA ka vendosur që Partizanin ta ngrit nga Europa League në Ligën e Kampionëve, pasi vendimi për suspendim të Skënderbeut nga Liga e Kampionëve mbeti në fuqi pas konfirmimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, me ç‘rast ndeshja kthyese e Partizanit në Europa League ndaj Slovan Bratislavas, mbeti e pavlerë dhe u largua nga orari i ndeshjeve të Europa Leagues.
Partizani do ta zhvillojë ndeshjen e parë në Ligën e Kampionëve ndaj kampionit të Hungarisë, Ferencvarosi, kundërshtar ky që ishte paraparë të jetë i Skënderbeut.