ULTIMATUMI
Sot vendoset për Burkina Fason
26 August, 2015 @9:28
Federata e Futbollit të Kosovës, FFK, ka bërë të ditur përmes një njoftimi për media se nësë Burkina Faso nuk i përmbahet kushteve të kërkuara nga FFK, do të jetë e detyruar të anulojë miqësoren.
Burkina Faso kishte kërkuar miqësore me Kosovën, por kishte dërguar listën e përfaqësueses U-23, që ka qenë e papranueshme për FFK-në.
FFK ka kërkuar që së paku 60% e futbollistëve në listë të jenë pjesë e përfaqësueses seniore, derisa afrikanët kanë dërguar një listë tjetër dje, me 2 lojtarë të zëvendësuar, që përsëri nuk përmbush kushtet e kërkuara.
“Nëse deri më 26 gusht 2015 Federata e Futbollit të Burkina Fasos nuk reflekton ndryshimin e duhur sipas marrëveshjes, FFK-ja është e detyruar të anulojë ndeshjen,” ka shkruar ndër të tjera njoftimi i publikuar i FFK-së në faqen zyrtare të saj.
Përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki, gjatë emisionit sportiv në RTK kishte thënë se pa marrë parasysh a do të zhvillohet apo ajo ndeshja miqësore me ekipin afrikan, futbollistët kosovarë do të mblidhen dhe do të zhvillojnë seancat e parapara.