NISIN PËRGATITJET
Stërvitja e parë, me 12 futbollistë
Tekst: FFK
12 November, 2018 @21:31
Kosova e ka mbajtur sot seancën e parë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e radhës kundër Maltës, më 17 nëntor dhe kundër Azerbajxhanit, më 20 nëntor.
Përzgjedhësi Bernard Challandes në këtë stërvitje pati në dispozicion 12 futbollistë, pasi futbollistët që kanë zhvilluar ndeshje të dielën kanë qëndruar në hotel për rigjenerim.
Shqetësim i vetëm tash për tash mbetet gjendja e Mërgim Vojvodës, i cili ka një tërheqje muskulore dhe gjatë seancës së sotme ka stërvitur i diferencuar nga pjesa tjetër, me vrapime dhe ushtrime të lehta.
Përkundër temperaturave të ulëta djemtë kanë stërvitur me përkushtim në mbrëmjen e sotme, duke dëshmuar kësisoj se i presin me padurim dy ndeshjet e radhës, të cilat do të jenë përcaktuese sa i përket fatit të Kombëtares sonë në Ligën e Kombeve.
Gjatë kësaj stërvitje përzgjedhësi Challandes ka punuar sidomos në pasimet e topit, ku ka kërkuar nga futbollistët që të bëjnë lojë më të thjeshtë dhe vetëm me një ose dy prekje të topit.
Ai ua ka bërë të qartë futbollistëve se në ndeshjen e fundit kundër Ishujve Faroe kanë ngecur pikërisht në këtë aspekt, derisa ka kërkuar që futbollistët të jenë më të përkushtuar në mënyrë që t’i mbulojnë të gjitha hapësirat në fushë, si dhe kur shkojnë përpara në sulm, menjëherë pas humbjes së topit të rikthehen në pozitat e tyre.