TREPÇA '89 - BALLKANI
Super Engjëll Hoti, ‘89-shi fiton
12 April, 2019 @17:26
Në ndeshjen hapëse të xhiros së XXVII të Superligës së Kosovës në futboll, skuadra e Trepçës ‘89 arriti të shënojë fitore me rezultat 2-1 ndaj Ballkanit në Mitrovicë.
Një super-goditje e Engjëll Hotit në minutën e 16’ të ndeshjes ia dha epërsinë fillestare mitrovicasve, ndërsa ishte pikërisht Hoti ai që shënoi edhe një tjetër super-gol nga distanca në pjesën e dytë, për ta kompletuar një paraqitje fantastike personale dhe për t’ia vulosur fitoren e nëntë sezonale skuadrës së tij.
Portën kundërshtare në raste të caktuara e rrezikoi edhe skuadra e Ballkanit, por goli i therandasve erdhi shumë vonë. Në minutën e 3’ të kohës shtesë, Jetmir Topalli shënoi pas një gabimi të portierit vendas, por për barazim eventual të rezultatit ishte shumë vonë dhe ndeshja u mbyll me rezultatin përfundimtar 2-1, me ç‘rast therandasit u detyruan të kthehen pa pikë në shtëpi.
Fitorja e shënuar sot bën që Trepça ‘89 të largohet edhe më tutje nga rreziku për të qenë në zonën e barazhit, kurse Ballkani momentalisht ndodhet tri pikë larg saj.
Xhiron e ardhshme, mitrovicasit do të jenë mysafirë të Dritës në duelin mes dy kampionëve të fundit të Kosovës, derisa Ballkani i shkon Lirisë në Prizren.
FORMACIONET STARTUESE
TREPÇA '89: Beqiri, Pira, Basri, Asare, Muja, Jashari, Gava, Hyseni, Hoti, Hyshmeri, Manaj. BALLKANI: Hajdini, Krasniqi, Potoku, Berisha, Jashari, Muçaj, Ajzeraj, Kuç, Çmajçanin, Shala, Nebija. |