PËR RRETH 60 MILIONË

Anthony Gordon, duke u prezantuar dje te Newcastle United/ Foto: NewcastleUnited/ fb
Talenti i Evertonit përfundon te Newcastle United
30 January, 2023 @11:27
Gjatë verës u fol për të. E kërkonte Chelsea. Por Everton nuk ishte pajtuar assesi për shitjen e tij. E kishin në plane afatgjate. Në janar, përfundoi te Newcaslte United.
Anthony Gordon, që tashmë u zyrtarizua dhe u prezentua te Newcastle United ka thënë se “njerëzit nuk e kanë parë ende çfarë mund të jap në fushë”.
Everton ka marrë rreth 50-milionë euro, që mund të shkojë deri në rreth 60-milionë euro me bonuse nga Newcastle United. Lojtari që mund të luaj në disa pozita ofanzive, ka qenë pjesë e Evertonit që nga mosha 11-vjeçare.
Ende nuk keni parë çfarë mund të bëj - GORDON
“Prej se kam dëgjuar që ata janë të interesuar e kam ditur se Newcastle është ekip ideal për mua. Kanë një bazë tifozësh dhe një qytet që më përshtatet mua si person, ndërsa loja që po e bëjnë, është ajo që më konvenon. Duket se janë duke shkuar në drejtim të duhur,” ka thënë Gordon në deklaratën e parë të tij për faqen zyrtare të ekipit të tij të ri.
Eddie Howe, trajner i Newcastle United ka theksuar se 21-vjeçari është “top-top talent”. Ndërsa ka shtuar se është i lumtur që ai do të mund të zhvillohet nën dirigjimin e tij.
“Jam me të vërtetë i lumtur që do të kem mundësinë të punojë me të, ta zhvilloj dhe jam duke shikuar mundësinë se çka krejt ai do të mund të bëj me fanellën e Newcastle Unitedit,” ka thënë Howe.
Ai është top-top talent - HOWE
Prodhimi i Akademisë së Evertonit ka shënuar 7 gola në 78 ndeshje për tashmë ish-ekipin e tij që prej debutimit të bërë në vitin 2017. Ai nuk ka nisur asnjë ndeshje që prej Boxing Day ndaj Wolvesit, ndërsa goli i fundit i tij daton 22 tetor 2022 në fitore ndaj Crystal Palace-it. Kjo ka qenë edhe fitorja e fundit e arritur e Evertonit në të gjitha garat.
Gordon pritet të debutojë për Magpies më 4 shkurt kur Newcastle pret West Ham Unitedin.