SHAQ ATTACK
Të gatshëm për Argjentinën
26 June, 2014 @9:34
Zvicra ka arritur të zë vend në 16 ekipet më të mira të Botës me fitoren e mbrëmshme ndaj Hondurasit, 3-0, ku shkëlqeu Xherdan Shaqiri.
Nga 7 golat e shënuara nga përfaqësuesja zvicerane, 6 prej tyre mbajnë nënshkrimin e një futbollisti shqiptar, derisa hat-tricku i mbrëmshëm i Shaqirit e ka bërë atë lojtar të ndeshjes sipas FIFA-së.
Yll i ndeshjes
”Është ëndërr - Zvicra e vogël ndaj Argjentinës. Do të jetë një ndeshje e madhe dhe ne jemi të gatshëm për ata. Edhe pse nuk jemi favorit, çdo gjë është e mundur. Futbollit asnjëherë s’i dihet,” ka thënë Shaqiri në prononcimin e tij pas fitores së mbrëmshme, njofton Soccer Way.
Hat-tricku në mes të xhungllës së Amazonisë, në qytetin e Manausit e ka bërë edhe më të madhe fitoren zvicerane - për shkak të kushteve të rënda klimatike që mbretërojnë aty. Sidoqoftë, Shaqiri është tejet i vetëdijshëm për forcën e ekipit.
“Kam kërkuar që të luajmë futboll dhe këtë e kemi bërë. Asnjë gol nuk do ta kisha shënuar pa bashkëlojtarët. Natyrisht që nuk do ta harrojë këtë ditë, por jam më i lumtur për arritjen e ekipit dhe kualifikimin në TOP 16 të Botës sesa për golat,” ka thënë ndër të tjera ylli shqiptar i Bayern Munchenit, që ka një gol më pak se superyjet Lionel Messi e Neymar në renditjen e golashënuesve të Botërorit.
Argjentina super favorit
Zvicra ka dalë si e dyta nga Grupi E dhe tash do të ndeshet me Argjentinën në të tetën e finales së Botërorit, Brazili 2014.
Ndeshja ndërmjet Argjentinës dhe Zvicrës luhet të martën tjetër, më 1 korrik me fillim në ora 18:00 në Arena Corinthinas të Sao Paulos.
Favorit absolut i kësaj ndeshjeje është Argjentina që ka marrë prej sot koeficientin 1.5 për fitore, derisa Zvicra ka koeficientin 7.5 për fitore.