PRISHTINA - FERIZAJ

Foto: prishtinafc.com
Thaqi debuton me fitore, prishet seria e Ferizajit
31 March, 2017 @16:58
Në një mot me diell në Podujevë, ndeshja hapëse e xhiros XXIII mes Prishtinës e Ferizajit, u mbyll me fitoren e kryeqytetasve, të cilët golin e fitores e gjetën përmes Gauthier Mankendas, gol i cili ishte i katërti për të sivjet në Superligë.
Pjesa e parë ishte tejet e qetë, me skuadrat që nuk kishin pothuajse asnjë rast konkret për shënim. Në sy ranë vetëm disa gjysëmraste për shënim nga të dyja skuadrat. I pari rrezikim erdhi nga krosimi i Liridon Lecit të Prishtinës në minutën e 6’, mirëpo me kokë topin nuk e arriti Debatik Curri dhe goli nuk u gjet.
Më pas ishte Ferizaji që rrezikoi dy herë radhazi. Fillimisht Labinot Shabani gjuajti nga distanca, por gjuajtja nuk ishte e fortë për ta befasuar Muqiqin, ndërsa më pas Murat Adili tentoi me kokë pas krosimit të Sadriut, por përsëri pa sukses.
Goditja e parë serioze e Prishtinës erdhi në fundin e pjesës së parë, me Endrit Krasniqin që gjuajti nga distanca, mirëpo gjuajtja përfundoi jashtë dhe pjesa e parë u mbyll me porta të paprekura.
Në pjesën e dytë, në fushë u pa një Prishtinë krejt tjetër, e cila e dominoi 45 minutëshin e dytë dhe krijoi disa raste për shënim. Me të filluar pjesa e dytë, Prishtina rrezikoi dy herë përmes sulmuesit Khalid dhe një herë tjetër përmes Endrit Krasniqit, ndërsa goli u vonua deri në minutën e 72’, moment në të cilin për kryeqytetasit shënoi Gauthier Mankenda. Mankenda shënoi nga një top i kthyer i portierit mysafir pas një skeme të përgatitur nga gjuajtja e lirë e Prishtinës nga dyshja Liridon Leci & Armend Dallku. Në anën tjetër, rastet i vetme serioze për Ferizajin në pjesën e dytë erdhën nga i inkuadruari Enis Kuka, i cili fillimisht rrezikoi nga pak metra kur rezultati ishte ‘i bardhë’, e në minutën e 88’ rrezikoi nga distanca, mirëpo Muqiqi i vendasve u tregua i vëmendshëm në të dyja rastet.
Më pas, gola të tjerë nuk pati përkundër përpjekjeve të Ferizajit në 6 minutat shtesë të takimit dhe takimi u mbyll me rezultatin final 1-0, rezultat i cili bën që trajneri Arsim Thaqi, që detyrën e morri pak ditë më parë, të debutoj me fitore me Prishtinën në Superligë, ndërsa në anën tjetër, kjo është humbja e parë e Ferizajit pas 6 ndeshjeve radhazi pa humbje në Superligë (5 barazime, 1 fitore). Humbja e fundit e Ferizajit datonte më 27 nëntor 2016, kur kjo skuadër u mposht nga lideri Trepça ‘89 me rezultat 4-1 në Mitrovicë.
Sa i përket renditjes, kjo fitore e afron Prishtinën në 3 pikë me Feronikelin e vendit të dytë, derisa Ferizajit ia komplikon punët në luftën për mbijetesë.