KUALIFIKIMET PËR BOTËROR
Maqedonia synon të dalë mbi Shqipërinë
31 March, 2017 @11:44
Përfaqësuesja e Maqedonisë si duket është trimëruar me fitoret e shënuara (ndaj Lihtenshtajnit, kualifikuese; ndaj Bellorusisë, miqësore) gjatë muajit mars dhe tashmë përzgjedhësi i këtij vendi, Igor Angelovski, kërkon që reprezentacioni i këtij vendi të përfundojë së paku në pozitën e katërt të Grupit G kualifikues për Botërorin Rusia 2018, ku bën pjesë edhe Shqipëria.
“Unë dhe të gjithë të tjerët në stafin e reprezentacionit kemi kërkuar 5 fitore në këto kualifikime. Të bëhemi realist, në shtëpi kemi tash Lihtenshtajnin dhe Shqipërinë, ndërsa jemi mysafir te Izraeli. Këto janë ndeshje që mundemi të fitojmë,” ka thënë Angelovski për mediat maqedonase.
“Nuk më interesojnë saktë sa pikë do t’i kemi deri në fund të ciklit kualifikues, por me rëndësi është që të përfundojmë në pozitën e katërt. Kjo është mundësia dhe për këtë kemi cilësi,” ka thënë më tej ai, shkruan sport.mk.
Shqipëria ka mposhtur Maqedoninë në Shkodër 2-1. Izraeli ka mposhtur edhe Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe kap aktualisht vendin e tretë në këtë grup.
Kuqezinjtë synojnë pozitën e tretë. Ndërsa aktualisht janë të katërtit, me 3 pikë më shumë se Maqedonia.
Dy vendet e para të Grupit G janë të rezervuara dhe të pakapshme për reprezentacionet në fjalë. Spanja dhe Italia luftojnë për Botërorin “Rusia 2018”, të tjerët për një pozitë të volitshme për short të kualifikimeve të radhës.