PRISHTINA
Thaqi e Dallku kërkojnë përkrahje
3 July, 2017 @21:05
Pas humbjes dëshpëruese në Suedi me rezultat 5-0 ndaj Norrkopingut në kuadër të kualifikimeve për Europa League, futbollistët e Prishtinës kanë zhvilluar sot seancën e parë stërvitore, ndërsa trajneri Arsim Thaqi dhe kapiteni Armend Dallku, kanë premtuar se do të tregojnë lojë më ndryshe në ndeshjen e kthimit.
Fillimisht Thaqi tha se futbollistët janë me inat pas humbjes së thellë dhe me angazhim maksimal shpresojnë ta kthejnë motivin dhe të arrijnë deri tek fitorja.
“Lojtarët tanë janë me inat për shkak të presionit dhe është e kuptueshme kjo. Krejt çfarë mund t’i premtojmë atyre që vijnë me pa ndeshjen dhe të tjerëve iu bëjë ftesë që të vijnë të na shohin, sepse me të vërtet do të angazhohemi e do të japim maksimumin. Rastet që i kanë lëshuar në ndeshjen e parë nuk do t’ia lejojnë vetes mos t’i realizojnë. Do t’ia arrijmë qëllimit të rikthejmë rezultatin edhe pse gjërat tjera sigurisht se do t’ia lëmë lojës. Pra, pres lojë shumë të fortë dhe angazhim maksimal e përqëndrim para portës. Në kuadër të kësaj do të ketë edhe ndryshime në formacion, e kuptueshme kjo. Ne e provuam lojën e parë, e mbase sikur të kishim pasur ndeshje të forta kontrolluese si me Partizanin, normalisht që ndryshimet do të vinin me kohë dhe kjo ndeshje i ka qitur në pah shumë gjëra. Neve na duhet cilësi dhe përqëndrim para portës, inat më të madh dhe ta fitojmë ndeshjen,” tha trajneri Thaqi.
Derisa shtylla kryesore e mbrojtjes së prishtinasve, Armend Dallku, tha se me përkrahjen e madhe të tifozëve mund ta fitojnë ndeshjen.
“Shikuesve tanë i’u premtojmë angazhim maksimal, sepse ne duam të fitojmë këtë ndeshje. Pavarësisht humbjes së thellë, ne tani e njohim kundërshtarin dhe pikat e forta të tyre, apo më mirë të themi pikat ku ne kemi çaluar. Trajneri ka ndërmarrë masa që sa do pak t’i eliminoj ato dobësi dhe normalisht të tentojmë të fitojmë ndeshjen për ta ngritur moralin e ekipit. Kuptohet morali pati rënë pas asaj humbje, por si kapiten i ekipit premtoj se pa marrë parasysh ndeshjen e parë ne do të luftojmë, të harrojmë ndeshjen e parë dhe t’i dhurojmë gjithë shikuesve prezent fitore me lojë të bukur. Por, për të arritur fitoren, na duhet pashmangshëm përkrahja e lojtarit të 12-të, tifozëve tanë të flaktë. Ata duhet dhuruar spektakël në tribuna, e ne në fushë,” përfundoi Dallku.