PËRFAQËSUESJA
Tjetër lajm i keq për Kosovën, lëndohet edhe një futbollist
21 September, 2016 @21:41
Pas lëndimeve të Loret Sadikut dhe Enis Alushit, të cilët me shumë gjasë nuk do të mund të luajnë për Kosovën në ndeshjet e tetorit kundër Kroacisë dhe Ukrainës, ka ardhur edhe një tjetër lajm i keq për përfaqësuesen e Kosovës.
Futbollisti i skuadrës Lausanne, Benjamin Kololli, sot është lënduar në ndeshjen kundër Baselit, me ç‘rast e rrezikon përfshirjen e tij në përfaqësuese.
Kololli është lënduar në minutën 12’, ndërsa trajneri i skuadrës është detyruar menjëherë që ta zëvendësojë atë me një futbollist tjetër.
Se sa është lëndimi serioz dhe për sa kohë pritet të mbetet futbollisti jashtë fushave të blerta, pritet të mësohet pas ndonjë deklarate zyrtare nga skuadra e Lausannes.
Vlen të ceket se Kololli ka qenë njëri prej futbollistëve më në formë nga përfaqësuesja e Kosovës, ndërsa javë më parë kishte shkëlqyer duke shënuar dy gola në ndeshjen kundër Vaduzit.