FLET PAS DEBUTIMIT
Strakosha: Nuk e prita debutimin ndaj Milanit
21 September, 2016 @12:20
Portieri i ri shqiptar, Thomas Strakosha, ka folur për LazioNews sot, pas debutimit të djeshëm në Serie A, në ndeshjen Milan - Lazio.
“Nuk e kam pritur fare debutimin, por u bë mirë,” ka thënë fillimisht portieri 21 vjeçar.
“Ajo që mbahet në mend është rezultati dhe jo debutimi im. Prandaj nuk mund të jem shumë i lumtur me debutimin, pasi që ekipi pësoi,” ka thënë portieri i kombëtares U-21, shkruan LazioNews.
RAPORTI I NDESHJES Milan 2-0 Lazio
Për më tepër, Strakosha ka bërë të ditur se menaxheri i ekipit dhe ish-portieri i Lazios, Angelo Peruzzi, i ka thënë që të hyjë në fushë dhe të kënaqet me lojë, pa pasur kurrëfarë presioni që ndeshet me një kundërshtar si Milan dhe atë në San Siro.
Portieri 192 centimetra i gjatë i lindur në Athinë, ka bërë të ditur se më shumë emocione ka pasur babai i tij, ish-portier i kombëtares, Fotaq Strakosha, sesa vetë ai, kur e kuptoi lajmin për debutimin.
Trajneri i Lazios, Simone Inzaghi, ia besoi portën shqiptarit pasi që numri një i portës së ekipit romak, Federico Marchetti, nuk kaloi testet e fitnesit para ndeshjes, për shkak të një lëndimi të lehtë në kofshë.