ZHVILLIME TE LIDERI
Lindermann: Do t’i ndihmojë klubit
21 September, 2016 @14:40
Prishtina ka bërë të ditur në mëngjes se Lutz Lindermann do të merr detyrën e kryetrajnerit të ekipit, edhepse u angazhua fillimisht si drejtor sportiv.
Ndërkaq Lindermann, në deklaratën e tij të parë si trajner ka bërë të ditur se me përgjegjësi do të punojë për bardhekaltërit.
“Për mua është kënaqësi e madhe të punojë dhe të stërvis një ekip si Prishtina. Nga momenti kur kryetrajneri i deritashëm, Munishi, më ka njoftuar se nuk do të punojë më, në këtë situatë dua të gjendem pranë klubit dhe t’i ndihmojë,” ka thënë Lindermann për faqen zyrtare të Prishtinës, prishtinafc.com.
Kushtrim Munishi një ditë më parë ka bërë të ditur se nuk do të dalë në stërvitje te ekipi bardhekaltër për shkak se kryesia po neglizhon nënshkrimin e kontratës.
“I kam njoftuar se pa e nënshkruar kontratën nuk kthehem,” ka thënë Munishi për gazetën Olle.
Në anën tjetër, bardhekaltërit janë sqaruar përmes faqes zyrtare, për të cilën është prononcuar nënkryetari i bordit të ekipit, Ahmed Kurtolli.
“Ne, Prishtina dhe Kushtrim Munishi nuk kemi mundur të mirremi vesh për kushtet dhe kriteret që i ka çdo ekip. Kërkesa e Prishtinës ka qenë decidive që trajneri të jetë në çdo kohë në dispozicion për lojtarin. Që trajneri i Prishtinës të ketë një adresë, trajnerët të mos kenë konflikt interesi. Ne nuk jemi pajtuar në këtë drejtim dhe kemi vendosur që tash e tutje ekipin ta udhëheq drejtori sportiv, Lindermann. Pra, mosplotësimi i kushteve që kemi kërkuar ne dhe mospajtimi për këto kushte. Sidoqoftë, ne e falenderojmë Munishin për bashkëpunimin dhe i urojmë suksese në karrierën e mëtutjeshme,” ka thënë Kurtolli për prishtinafc.com.
Kushtrim Munishi për herë të parë kishte marrë drejtimin e një skuadre të Superligës këtë stinor. Ai nisi në mënyrën më të mirë me Prishtinën stinorin. Me 4 fitore dhe një barazim, bardhekaltërit janë në krye të klasifikimit të Superligës, ndërsa ai fitoi edhe trofeun e Superkupës së Kosovës një javë para fillimit të stinorit.
Fundjavën vijuese, Prishtina do të ketë punë ndaj kampionit në fuqi, Ferronikelit. Ferronikeli së fundi ka kapur formën dhe ka shënuar tre fitore radhazi për t’u këndellur pas 2 humbjeve në start të stinorit.