MAN UTD
Transferi i ri i Manchester Unitedit
26 June, 2014 @20:51
Njëri prej futbollistëve më me perspektivë në Spanjë, mesfushori qendror i Athletic Bilbaos, Ander Herrera, stinorin e ardhshëm do të luaj në Premier League me skuadrën e tij të re, Manchester United.
Ekipi nga Old Trafford sot ka bërë të ditur se transferimi i futbollistit në fjalë tashmë ka përfunduar me sukses dhe kontrata e Herrerës është nënshkruar për katër vjet.
“Ander është një lojtar i ri fantastik, me energji dhe kreativitet të mrekullueshëm. Jam shumë i lumtur që ai ka vendosur të vijë në Manchester dhe të luaj këtu në të ardhmen,” ka thënë ndihmës trajneri i Manchester Unitedit, Ryan Giggs.
Ndërsa në lidhje me transferimin e tij, Herrera tha: “Transferimi në Manchester United është një ëndërr e cila u bë realitet. Unë kam luajtur në Old Traffor me Bilbaon në UEFA Europa League, dhe ajo ishte një prej momenteve më të mira të karrierës sime. Unë i’u bashkova Unitedit për të dhënë gjithçka nga vetja që ta ndihmojë klubin që të arrijë synimet e veta”.
Në njoftimin e klubit nga Manchesteri nuk është përmendur fare çmimi i dëmshpërblimit të paguar për shërbimet e Herreras, mirëpo sipas mediave britanike vlera e futbollistit spanjoll sillet diku rreth 30 milionë euro.
Kush është Herrera?
Ander Herrera është 24 vjeçar dhe stinorin e fundit ka luajtur në La Liga me Athletic Bilbaon. Pozita e tij e preferuar është mesfushor ofansiv, por mund të luaj edhe si mesfushor qendror. Këtë stinor ka pasur 33 paraqitje në La Liga, duke shënuar 5 gola dhe 6 asistime.
Karrierën profesionale e ka filluar në Real Zaragoza, prej nga më pas edhe u transferua në Bilbao në gusht të vitit 2011, për 6.6 milionë funta.
Herrera ka qenë edhe 15 herë pjesë e përfaqësueses U21 të Spanjës, si dhe 5 herë të përfaqësueses U23.