TREPÇA '89 - LIRIA
Trepça ‘89 fiton, prishet seria e Lirisë
29 October, 2017 @14:59
Pas 6 ndeshjeve radhazi pa humbje, seria e Lirisë është ndalur nga kampioni në fuqi i Kosovës, Trepça ‘89.
Mitrovicasit e dominuan takimin e luajtur sot, duke rrezikuar që nga fillimi i ndeshjes, ndërsa goli epërsisë vonoi deri në minutën e 55’. Penalltinë e fituar nga Florent Hasani, që u pengua në zonë nga Domgjonaj i mysafirëve, e konkretizoi në gol kapiteni Shpëtim Idrizi, ndërsa golin e dytë dhe vulosjen e fitores për vendasit e bëri Florent Hasani në minutën e 3’ të lojës shtesë.
Rol në mbajtjen e rezultatit baraz pas 45 minutave pati edhe portieri Bakaj i Lirisë, i cili nuk lejoi Oto Johnin e Florent Hasanin që të kalonin në epërsi skuadrën e tyre në rastet që ata i patën, mirëpo ‘trysnia’ e vendasve vazhdoi në pjesën e dytë dhe golat e fitores erdhën.
Kjo fitore e ngrit Trepçën ‘89 në kuotën e 21 pikëve, kurse Liria mbetet me 19.