MITROVICË
Trepça’89 arrin finalen, eliminon Besën
3 June, 2015 @17:53
Skuadra e drejtuar nga Afrim Tovërlani, Trepça’89, ka arritur të kualifikohet në finale të Kupës së Kosovës, duke e mposhtur Besën 2-1 në minutën e fundit të ndeshjes.
Trepça’89 avancoi me anë të golashënuesit më të mirë të ekipit dhe stinorit të kaluar në Superligë, Blerand Kurtishaj, që shënoi nga penalltia në minutën e 19-të të ndeshjes.
Mitrovicasit kishin edhe disa raste, kryesisht përmes Kurtishajt, por pa arritur të shënojnë.
Besa në anën tjetër, priste rastin për tu kundërpërgjigjur. E këtë, ekipi i Arbnor Morinës e arriti përmes Fatih Karahodës në fillim të pjesës së dytë, për 1-1.
Me këtë rezultat Besa do të arrinte finalen, mirëpo për t’ia mohuar këtë ekipit pejan u përkujdes futbollisti me përvojë Emin Baliqi në minutën e dytë të kohës shtesë për fitore 2-1.
Fundi i ndeshjes e gjeti Besën me dy lojtarë më pak, pasi që Fisnik Papuqi dhe Fetim Kasapi morrën karton të kuq nga referi i ndeshjes për shkak të protestave pas golit të mitrovicasve në fund. Ndërsa në vazhdim Edmond Turku i Trepçës’89 morri kartonin e dytë të verdhë për të shkuar në zhveshtore disa sekonda para fundit të ndeshjes.
Në fund, mitrovicasit arrijnë finalen pas një loje dramatike falë gjindshmërisë së Baliqit, derisa në Prishtinë më 14 qershor luajnë ndaj Ferronikelit, mbrojtësit të trofeut.