ULPIANA 2-1 ARBËRIA

Ulpiana fiton derbin me përmbysje, forcon kreun
30 September, 2022 @18:42
Skuadra e Ulpianës ka shënuar një fitore tepër të rëndësishme në kuadër të xhiros së shtatë të Ligës së Parë Grupi B të Kosovës. Ekipi i drejtuar nga Emin Bajrami ka mposhtur skuadrën e Arbrërisë në një fitore, që ka ardhur me përmbysje rezultati në derbin lipjanas.
Kjo është fitorja e katërt radhazi e Ulpianës, që ka hyrë në formë më të mirë në këtë ligë, ndërsa fitorja e arritur sot, ka bërë që ekipi të shpresojë që edhe fundi i stinorit t’i gjejë ata aty.
Ndeshja nisi jo mirë për Ulpianën. Ka qenë Arbëria që mori epërsinë, kur Florent Molliqaj shënoi gol që në minutën e 14 të derbit që luhej në “Sami Kelmendi”.
Por, deri në fund të pjesës së parë, Ulpiana është këndellur. Kjo erdhi në saje të Almedin Muratit (39) që me një super-gol, të krijuar vetë nga ai, ka barazuar rezultatin për të shkuar ekipet në pushim, me rezultat të barabartë 1-1!
Derisa pjesa e dytë shkonte drejt fundit të ndeshjes pa gol të shënuar, 10 minuta para fundit të kohës së rregullt në skenë ka dalë Liron Tasholli, që me golin e tij i ka dhënë fitoren e madhe Ulpianës dhe ka sjellë gëzimin e madh në ekip, me 2-1 [Almedin Murati 39, Liron Tasholli 80 — Florent Molliqaj 14] përfundimtare.
Me këtë fitore, Ulpiana ka siguruar vendin e parë për së paku edhe një xhiro, ndërsa ka epërsi 5 pikëshe ndaj përcjellësit të parë, Vushtrrisë, që për momentin ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Në anën tjetër Arbëria ka pësuar humbjen e katërt të stinorit dhe do të kërkojë kthim te fitoret në xhiron tjetër kur pret 2 Korrikun.
Ulpiana ndërkaq luan derbin, ndaj Vushtrrisë dhe atë si mysafir.