PRISHTINA - FERENCVAROS
Uzuni shuan shpresat e Prishtinës
13 July, 2021 @21:53
Skuadra e Ferencvarosit, e mposhti Prishtinën edhe në ndeshjen e dytë të rrethit të parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve dhe e eliminoi kampionen e Superligës së Kosovës.
Ferencvaros triumfoi me rezultat 1-3, derisa kishte avantazhin prej 3-0 nga ndeshja e parë.
Pjesa e parë përfundoi me rezultat 0-0, kurse me të filluar pjesa e dytë, goli i parë në ndeshje erdhi nga ylli i kombëtares së Shqipërisë, Myrto Uzuni (49’).
Trajneri Zekirija Ramadani i inkuadroi dy transferimet e reja të skuadrës Xhevdet Shabanin e Mendurim Hotin në minutën e 52’ dhe 60’, derisa kjo lëvizje ia solli golin Prishtinës, ku Mendurim Hoti shënoi pas asistimit të Xhevdet Shabanit në minutën e 67’.
Prishtina e barazoi rezultatin, por nuk kishte zgjidhje për Myrto Uzunin. Uzuni e mbylli ndeshjen me hat-trick duke shënuar edhe në minutat 80’ dhe 86’, për rezultatin final 1-3.
Prishtina me këtë humbje është eliminuar nga Liga e Kampionëve.