REPREZENTACIONI I FEMRAVE
Vashat e Kosovës nisen në kualifikime debutuese
3 April, 2017 @14:34
Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave u nisë sot për në Shqipëri, përkatësisht në Durrës, ku do të vendoset dhe do të përgatitet për ndeshjet parakualifikuese për Kampionatin botëror ‘Franca 2019’.
ORARI DHE NDESHJET
Kosova është në Grupin B bashkë me Shqipërinë që është edhe organizatore e turneut parakualifikues, si dhe Greqinë dhe Maltën. Ndeshjen e parë Kosova do ta zhvillojë më 6 prill kundër Kombëtares së Shqipërisë në “Elbasan Arena” në orën 12.00, ndërsa më 8 prill Kosova ballafaqohet me Kombëtaren e Greqisë në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë në orën 12.00 dhe në po të njëjtin stadium më 1 prill takohet me Kombëtaren e Maltës në orën 14.00.
Para nisjes kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, i ka përshëndetur dhe uruar suksese vashave të Përfaqësueses në debutimin në garat ndërkombëtare. Ndërkaq, përzgjedhësja e Përfaqësueses së Kosovës, znj. Afërditë Fazlija para nisjes u shpreh:
“Ne së pari nuk e kemi pritur që të jemi në këtë nivel. Por ne si grup nuk do të shkojmë vetëm sa për t’u paraqitur por do të jemi një ekip homogjen. Meqenëse ndeshjen e parë e kemi me Kombëtaren e Shqipërisë kjo e bën ndeshjen më emocionuese. Shkuarja e Qëndresa Krasnqit dhe e 13 futbollisteve nga Kosova për të luajtur për kombëtaren shqiptare sigurisht se na dëmton, por ne jemi përpjekur të komponojmë ekipin sa më mirë. Jemi të vetëdijshëm për mungesën e përvojës ndërkombëtare, por do të bëjmë më të mirën të mundshme dhe do të jemi ekip serioz”.
Ekspedita e Përfaqësueses:
Futbollistet: Florentina Kolgeci(KFF Hajvalia), Ilfete Ktyeziu (Kosova P), Diellza Musa (KFF Mitrovica), Antigona Miftari (KFF Mitrovica), Blerta Kaçiu (KFF Hajvalia), Donjeta Haxha (KFF Mitrovica), Liridona Syla (KFF Hajvalia), Gentiana Lushtaku (KFF Mitrovica) Fitore Govori (KFF Kosova(P), Egzona Zeka(Lugano), Besmira Morina (Falkopings KIK - Suedi), Marigona Durguti (Falkopings KIK - Suedi), Feride Kastrati (KFF Llapi), Qendresa Bajra (KFF Hajvalia), Edona Kryeziu (KFF Hajvalia), Blerina Musa (KFF Mitrovica), Valentina Limani (FFC-Frankfurt), Agnesa Rexha (KFF Mitrovica), Arta Rama (KFF Mitrovica), Kaltrina Biqkaj (KFF Intelektualet), Antigona Behluli(Cyrih), Blerta Shala (Cyrih), Zylfije Bajrami (KFF Hajvalia).
Anëtarja e KE dhe kryetarja e Komisionit për futbollin e femrave znj. Vjollcë Krasniqi, përzgjedhësja Afërditë Fazlija, nd.trajnerët, Sanije Krasniqi, Veton Çitaku e Besart Ismajli. Mjeku: Enver Rexha, fizioterapeuti: Sabit Hajra dhe Rinor Havolli.