KOMUNIKATA E KF BESA
Besa reagon për përfoljet lidhur me ndeshjen ndaj Trepçës
3 April, 2017 @13:53
Skuadra e Besës ka reaguar sot përmes një komunikate në Facebook lidhur me përfoljet e djeshme që u bënë pas duelit Besa 1-3 Trepça.
Ekipi ka arsyetuar rezultatin e djeshëm duke thënë se ata nuk kanë arritur të mposhtin Trepçën as në duelin vjeshtor, kur patën humbur 1-2, si dhe duke cekur se 6 lojtarë dje kanë qenë të përbërjes jostandarde, pasi që kanë qenë të lënduar ose të suspenduar disa nga futbollistët e ekipit të parë.
“Për të mos e zgjatur shumë me arsyetime, deklarojmë se mirëpresim vendimin e FFK-së që rastin ta dërgoj në prokurori dhe në instancat tjera relevante që njëherë e mirë të vërtetohet kjo gjë,” ka shkruar në fund KF Besa.
Ndeshja Besa 1-3 Trepça është përfolur në opinion si ndeshje e ‘lëshuar’ nga ekipi pejan, pasi që mitrovicasit luftojnë për të siguruar barazhin dhe për t’i ikur rënies nga elita. Njejtë, dy skuadrat janë edhe gjysmëfinaliste të Kupës, ku ndeshja e parë në Mitrovicë ka përfunduar 2-2, ndërsa ndeshja e kthimit do të zhvillohet në Pejë.
Sidoqoftë, Besa edhe në rast të triumfit në Kupë të Kosovës, nuk do të mund të kërkojë daljen në gara europiane, pasi që nuk ka aplikuar në FFK për licencim të UEFAs, duke mos dorëzuar dokumentacionin për kriter financar deri më 1 prill, sa ka qenë afati i përcaktuar nga FFK-ja.