KRITERET E UEFAs
Liria në proces licencimi për UEFA, Besa jo
3 April, 2017 @10:11
Skuadra e Lirisë së Prizrenit është skuadra e vetme e Superligës që ka dorëzuar dokumentacionin për proces të licencimit në UEFA te FFK-ja dhe ka humbur gjasat për të dalë në gara europiane këtë stinor 2016/17.
Ekipi prizrenas kështu ka bërë një hap të madh në krahasim me skuadrat tjera lidhur me licencimin.
Deri tash në FFK për proces të licencimit kanë dorëzuar në afat dokumentet vetëm ekipet që kanë gjasa të dalin në gara europiane: Trepça’89, Feronikeli, Prishtina dhe Llapi, derisa Liria është e vetmja nga skuadrat tjera që ka aplikuar për këtë dhe këtë stinor nuk do të mund të dalë në gara europiane (është eliminuar nga Kupa dhe nuk është në garë për titull).
Besa e Pejës, që është në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës nuk e ka dorëzuar në afat dokumentacionin dhe në rast të triumfit në Kupë nuk do të mund të dalë në Europë. As Drenica e Trepça nuk kanë aplikuar (gjysmëfinaliste tjera), që do të thotë se vetëm Llapi (në rast se e merr Kupën e Kosovës) mund të shpresojë në gara europiane.
Afati i fundit për dorëzim dokumentacioni ka qenë të shtunën që shkoi (1 prill 2017), ka bërë të ditur menaxheri i FFK për licencim të klubeve, Bajram Shala, shkruan sot Koha ditore.
Ekipet pasi që të ‘marrin vizën’ për kriteret duke përfshirë edhe ato financiare të dorëzuara më 1 prill, do të presin për kriterin infrastruktor, për të cilin më së afërmi duket të jetë stadiumi “Adem Jashari” i Mitrovicës.