DERBI DUKAGJINAS
Vëllaznimi demolon Besën
14 September, 2014 @17:52
Skuadra e Vëllaznimit ka shënuar edhe fitoren e dytë në Superligë dhe atë duke e demoluar tërësisht Besën në derbin e Dukagjinit, 5-0.
Pesëshja i ka ardhur si dush i ftohtë për pejanët që kërkonin vazhdim të fitoreve pas asaj të parës ndaj Llamkos Kosovës në xhiron e kaluar.
Ylber Myrta ka shënuar golin e parë për Vëllaznimin në fund të pjesës së parë, pas një pjese shterpe dhe pa shumë raste.
Mirëpo, në pjesën e dytë kur mendohej se ekipi i Arbnor Morinës do të këndellet, ata pësuan debakël.
Nikollë Dushi nisi serinë e golave në pjesë të dytë, për tu vazhduar nga Luigj Buqaj, Ylber Myrta dhe Lekë Vula në fund.
Kjo qe fitorja e dytë e gjakovarëve në kampionat dhe tashmë ata kanë përfunduar xhiron në vend të tretë, derisa Besa ende nuk po mund të dalë nga zona e rrezikshme.
REZULTATET, TABELA DHE NDESHJET E RADHËS
FAKTE:
> > > Sulmuesi i Besës, Fatih Karahoda, është ndëshkuar me karton të kuq (dy të verdha) pas fjalosjes me referin e ndeshjes. Karahoda la ekipin e tij me 10 veta në fushë, nga minuta e 62-të. | > > > Besa nuk arriti të shënojë as nga penalltia në këtë ndeshje, kur portieri i Vëllaznimit mbrojti penalltinë e pejanëve. |