GJAKOVË
Vëllaznimi largon Hoxhën, lojtarët në përkrahje të trajnerit
26 May, 2015 @9:07
Vëllaznimi ka larguar mbrëmë kryetrajnerin e ekipit Genc Hoxha, duke dhënë arsyetim rezultatet e dobëta në stinorin pranveror.
Në anën tjetër, Hoxha, në një prononcim për Gazetën Olle ka thënë se ai kishte shkuar të kërkojë borxhin ndaj tij, lojtarëve dhe stafit të trajnerëve, kur iu komunikua vendimi, papritmas.
Përmes një deklarate, krerët e Vëllaznimit kanë bërë të ditur se ekipi i ka borxh vetëm pagën e muajit prill të apostrofuarve dhe se nuk është e vërtetë që borxhi është i madh, për të cilën kanë edhe dëshmi.
Në anën tjetër, njëri ndër futbollistët më me përvojë të Vëllaznimit ka bërë të ditur për Borozani.com se ekipi u ka borxh lojtarëve si dhe trajneri u shkarkuar sepse mbrojti interesat e lojtarëve të tij, që i ka lënë ata të thirrin një mbledhje sot të të gjithë futbollistëve të ekipit për të marrë vendim për hapat e ardhshme.
Me largimin e Hoxhës nga posti i tij te Vëllaznimi, edhe skuadra kuqezi i bashkohet ekipeve tjera që kanë ndërruar së paku njëherë trajnerin gjatë këtij stinori.
Sa i përket të pandryshueshmëve, vetëm skuadrat drenicake, Ferronikeli dhe Drenica, janë duke vazhduar ende me trajnerin që ia ka nisur stinorit, Gani Sejdiu dhe Tahir Lushtaku, përkatësisht.