SHQIPËRIA REFUZOI!!!

Vendimi i UEFA-së, që solli humbjen 3-0
10 November, 2014 @23:28
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), përkundër se pranoi arsyetimin e UEFA-së lidhur me dënimet pas ndeshjes së ndërprerë Serbi-Shqipëri, asnjëherë nuk i botoi ato (së paku jo në faqen zyrtare të saj).
Në anën tjetër, mediat shqiptare, saktësisht Panorama Sport në versionin e saj online, duke cituar Top Channelin, ka bërë të ditur se tre pikat kyqe që çuan në humbje të ndeshjes me rezultat zyrtar 3-0.
Pika 21. Komisioni i Disciplinës vëren se argumenti i përdorur nga Federata nuk jep mjaftueshëm prova për të hequr FSHF-në nga përgjegjësia kur ka refuzuar që të vazhdojë ndeshjen. Është për t’u evidentuar që vendimi i arbitrit është marrë pas bisedimeve me zyrtarët e tjerë të UEFA-s. Si rrjedhojë, Federata ishte e vetëdijshme për pasojat negative që vendimi mund të sillte mbi situatën e tyre në kualifikueset e Kampionatit Europian 2016.
Pika 22. Komisioni i Disciplinës saktëson se në rastet kur arbitri vendos të rifillojë ndeshjen, pasi ka vlerësuar dhe është konsultuar me delegatin e UEFA-së dhe oficerin e sigurisë së UEFA-së, që është gjithashtu eksperti i ngarkuar për çështje të tilla, Federata duhet të ndiqte udhëzimet dhe të vazhdonte lojën, pasi zyrtarët garantonin standardet e sigurisë. Organizatorja e kompeticioneve të futbollit do ishte në situatë kaotike, nëse organizatori ia linte në dorë vendimin final klubit, apo një Federate, në varësi të interesit të tyre.
Pika 23. Duke iu referuar informacioneve të siguruara nga zyrtarët e UEFA-së, Komisioni i Disiplinës, Kontrollit dhe Etikës arrin në përfundimin se Federata Shqiptare e Futbollit është përgjegjëse për refuzimin e vazhdimit të ndeshjes dhe sipas artikullit 27 të rregullores së UEFA-së, do ndëshkohet.
Gjyqtari Martin Atkinson mund të cilësohet si një nga shkaktarët për dënimin e Shqipërisë nga Disciplina. Siç zbulon “Top Channel”, në raportin e tij shkruhet vetëm që “Shqipëria refuzoi të luajë”, pa marrë parasysh aspak arsyet për një vendim të tillë. Edhe pse ai ka raportuar dhunën ndaj Bekim Balajt dhe invadimin e fushës prej tifozëve, nuk i janë dukur mjaftueshëm si arsye për të refuzuar vazhdimin e sfidës. Madje, ka edhe kontradiktë në raportin e tij me atë të delegatit. Ky i fundit ka sqaruar se Lorik Cana i ka thënë që nuk mund të vazhdonin, pasi disa futbollistë kishin probleme fizike dhe psikologjike.
Edhe pse duke iu referuar raporteve, Komisioni i Disiplinës ka gjetur një interpretim ligjor për të dënuar Shqipërinë, është shqetësues fakti që nuk janë bazuar aspak te pamjet filmike dhe mbi të gjitha tek arsyet e forta se pse Kombëtarja e Shqipërisë nuk ka qenë e aftë për të vazhduar ndeshjen. Pikërisht këto elemente i japin shpresë FSHF-së për të fituar ndeshjen në tavolinë, ndonëse vendimi i arbitrit për të filluar takimin, luan një rol aspak favorizues për kuqezinjtë. (Burimi: http://www.panorama-sport.com/kombetarja/uefa-arbitri-urdheroi-qe-te-riluhej-ja-qendrimet-e-dyshimta-te-fshf-se-pas-vendimit)