GIANNI DE BIASI

BOROZANI/Lis Dorambari
Arsyeton mosftesat ndaj Gashit dhe Mehës
10 November, 2014 @10:01
E befasoi shumëkë me mosftesën e dy futbollistëve të dëshmuar. Derisa Gianni De Biasi të shtunën lexonte emrat e të ftuarve për miqësoret e radhës, çdokush u befasua kur nuk dëgjoi emrat e sulmuesit në formë të Baselit, Shkelzen Gashi dhe mesfushorit të rikthyer në Paderborn, Alban Meha.
Në disa raste De Biasi edhe u kritikua, për të cilat ai nuk reagoi fare, por në fund pas pyetjeve të shumta në një intervistë për të përditshmen tiranase Panorama Sport, ai arsyetoi vendimin e tij.
“Nuk është ftuar pasi ai e di shumë mirë që nuk është në formën më të mirë të tij. Unë jam tepër i lumtur që ai shënoi golin e parë në Bundesligë, por ai tash duhet të shërohet mirë e mirë pasi që ende i duhet kohë për tu kthyer në formë. Ai e din se i duhet Shqipërisë në muajin mars të vitit të ardhshëm,” ka thënë De Biasi për mesfushorin e Paderbornit, Alban Meha.
Meha shënoi golin e parë të tij në Bundesligë me tu kthyer nga lëndimi, derisa Shqipëria në mars pret Armeninë në ndeshjen e radhës kualifikuese për EURO 2016.
Sa i përket sulmuesit në formë, Gashi, De Biasi është përgjigjur kështu:
“Loja e kuqezinjëve në sulm nuk jep hapësira për Gashin. Përkundër se ai është lojtar tepër i mirë dhe po tregohet gjithnjë e më shumë, në ato pozita ne aktiviziojmë lojtarë me tipare tjera. Për momentin nuk dua ta prek stabilitetin e skuadrës në atë repart. Ai është pjesë e projektit dhe do të na duhet në ndeshjet e mëvonshme,” është cituar të ketë thënë italian 56 vjeç për gazetën në fjalë.
Shqipëria në ditët në vijim ka ndeshjet më të rëndësishme miqësore ndonjëherë të zhvilluara një pas një. Kuqezinjtë 4 ditë më vonë ndeshen me Francën në Ren, derisa me datën 18 udhëtojnë për në Xhenovë, ku takohen me Italinë në Luigi Ferraris.