ANALIZAT VERORE
Vera te Liverpool
Shkruan: LUAN MORINA
16 June, 2017 @17:58
Të shesësh Alberto Morenon për 15 milionë euro është vjedhje e madhe!
Mamadou Sakho e Lazar Markovic prapë i ha tregu. Sidomos nëse gjejnë ekipet që ju kryejnë punë, siç ishte Sakho tek Crystal Palace.
Sidoqoftë, kjo strategjia e Liverpool për të shitur një herë e pastaj të blejnë me ato para, nuk është diçka e mençur. Aq më pak për një ekip anglez që këtë vit do të provoj suksesin edhe në Ligën e Kampionëve. Katër gara dhe dritare e kushtëzuar e transferimeve nuk është mënyra e duhur për tu përgatitur për sezonin e radhës.
Porta…
As Mignolet e as Karius nuk janë super-portier. Ndoshta me kalimin e kohës ky i dyti e Danny Ward mund të gjejnë një ngjitje në formë, për momentin nuk janë kalibër kampioni. Megjithatë, Liverpool ka problem tjera më të mëdha.
Mbrojta…
Dyshja Matip dhe Lovren nuk janë të dobët. Si krejt ekipi i Liverpoolit, as këta nuk janë të klasës më të lartë, por janë të kapërcyeshëm për një sezon. Largimi i Sakhos do të duhej të sillte një qendërmbrojtës gjysmë-startues për të ndihmuar Klavanit e Gomezit si rezerva të plota.
Krahu i majtë është aty ku vuan dhe do të vuaj Liverpooli edhe sezonin e ardhshëm nëse nuk sjellin dikë. Moreno nuk kryen kurrë punë këtu, e Milner nuk mund ti përsërit dy sezone mbi-mesatare në këtë pozitë. Edhe ashtu nuk ka qenë ndonjë kontribuues i dobishëm, pos në konvertimin e penalltive që nuk është puna kryesore e një mbrojtësi të majtë.
Clyne është i mirë në të djathtë, e edhe talentet rezervë s’janë të këqija.
Mesfusha…
Bashkë me Milnerin, kemi edhe Lucas Leiva i cili është rrezik permanent për vet ekipin e Liverpoolit. Edhe falas po ta largonin do të ishte më mirë se sa ta startonin në pozitën e qendërmbrojtësi, apo në ndonjë ndeshje eventuale në Ligën e Kampionëve. Henderson është i mirë në pozitën e shkatërruesit, por këpucët e Gerrard zor ti mbath – as ky as ndonjë tjetër.
Lallana ka pasur një sezon të shkëlqyeshëm, bashkë me Wijnaldumin e Coutinhon. Me të tre në formë, e të shëndosh, Liverpooli do të kishte një mesfushë ndër më të mirat në Evropë. Por, me krejt aferat rreth një largimi të Coutinhos, dhe një formë jo të vazhdueshme, do të ishte më mirë që ta shisnin për para të mira kudo që dëshiron të shkojë.
Sulmi…
Roberto Firmino nuk është qendërsulmues. Daniel Sturridge aq më pak. Divock Origi mbetet opsioni më i mirë i një 9shi klasik tek Liverpooli. Klopp më shumë pëlqen të luaj me një 9sh fals, ashtu siç bënte me Aubameyangun, por asnjëri nuk është aq vrastar sa Aubameyang para portës.
Sadio Mane ka qenë ndër transferimet më të qëlluara viteve të fundit në Premier League dhe një sezon i plotë pa lëndime do ta bënte atë ndër krahët më produktiv në Evropë.
Solanke për momentin duket interesant. Edhe jo, nuk është herët për ti besuar pozitën e qendërsulmuesit.
Kalendari…
Megjithatë, kalendari i ngushtuar i ndeshjeve i cili veç sa do të ngarkohet më shumë këtë sezon s’do të ndihmoj në rënien e numrit të lëndimeve me kaq pak opsione në ekip.
Kushtëzimi për largime para se të nisin ardhjen, koprracia e drejtuesve për të vazhduar shpenzimet nuk mund të mbulohen nga motivimi i Kloppit, e aq më pak nga historia goxha e vjetër e këtij ekipi.
Përndryshe mund të shndërrohen në një Arsenal që nuk shpenzon edhe gjithnjë tenton vetëm një kualifikim në Ligën e Kampionëve.